E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizitë në qendrën e mësimit të gjuhës serbe

19/09/2011  Fier, ambasadori serb në Libofshë: Aspirata për në BE

FIER- Ambasadori i Serbisë në vendin tonë, Miloviç Zariç, ka vizituar banorët serbo-boshnjake të Libofshës në rrethin e Fierit. Vizita e ambasadorit serb në këtë komunitet u bë me rastin e çeljes së vitit arsimor për qendrën e gjuhës serbe në këtë fshat. Rreth 50 fëmijë të komunitetit serbo-boshnjak mësojnë gjuhën amtare në këtë qendër, e cila është hapur një vit më parë. Në këtë takim të dytë të tij me banorët e këtij komuniteti Zariç u tha banorëve se duhet të kujdesen për të trashëguar gjuhën dhe zakonet e tyre kombëtare. “Ky është një hap gjigand, jo vetëm për banorët e kësaj zone, por edhe për të gjitha vendet ku banojnë pakica serbe. Prandaj unë ju bëj thirrje që të ruani dhe respektoni gjuhën dhe zakonet e mëmëdheut tonë”, ka vijuar Zaric. Qendra e mësimit të gjuhës serbe në Libofshë është çelur me mbështetjen e ministrisë së diasporës në serbi dhe ka gjetur mbështetjen e banorëve të këtij komuniteti në Libofshë. Eqerem Duleviç, banor i komunitetit serbo-boshnjak në Libofshë, si dhe administrator i shkollës serbe në Libofshë, shprehet se hapja e kësaj shkolle ka interes të gjerë tek ky komunitet. I pyetur për ndalimin e teksteve shkollore në gjuhën shqipe për shqiptarët në Bujanoc dhe Preshevë, nga ku këta të fundit kanë paralajmëruar protesta për këtë çështje, Zaric tha se kjo është një çështje që do të gjejë zgjidhje patjetër. Sipas tij, të dy vendet po punojnë për t’u anëtarësuar për në bashkimin evropian dhe për këtë arsye do të respektojnë të drejtat e pakicave për arsimim në gjuhët amtare.

Në këtë takim ambasadori serb hodhi idenë që kjo qendër e gjuhës serbe në Libofshë, vitin e ardhshme të shndërrohet në shkollë. Në Libofshë jetojnë rreth 450 banorë serbo-boshnjakë.

A. Damini

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›