Artistët e rinj hapin ekspozitën e parë për këtë vit në FAP
“Maket” titullohet ekspozita e parë që çelet këtë vit në galerinë FAP, në mjedise të Akademisë së Arteve. Veçantia e saj qëndron në faktin se kësaj here artistët e rinj vijnë me një titull e me një koncept krejtësisht interesant. Kjo ekspozitë me punimet e studentëve të arteve pamore do të hapet në datën 9 shkurt, ndërkohë që koncepti kuratorial i këtij edicioni është ideuar nga bashkëkuratorët Najada Hamza dhe Ardian Isufi; njëkohësisht i koordinuar nga Genc Përmeti, (profesorë dhe pedagogë në Akademinë e Arteve). Kjo është eksperienca e dytë e këtij ekipi organizativ, ku vlen për tu përmendur ekspozitën “Trego një Ngjarje” e realizuar një vit më parë me sukses të jashtëzakonshëm për atmosferën artistike të krijuar dhe për impaktin e drejtpërdrejtë që pati ky event për publikun artdashës dhe më gjerë. “Maket” ka si target studentët e Akademisë së Arteve-Atelie Grafika/ Mode e Tekstil/ Multimedia / Pikturë, që njëkohësisht janë dhe artistë të rinj për ti krijuar shanset e përpunimit artistik mbi një temë urbane dhe arkitektonike për një realitet të caktuar dhe të përcaktuar prej tyre. E gjitha kjo vjen si një dëshmi artistike, gjithashtu është një eksperiencë e re dhe e vyer për studentët, të cilët përballen dhe ballafaqohen me ide të ndryshme nëpërmjet procesit të konkurrimit. “Maket” do të përqendrohet në realizimin e objekteve tre dimensionale të inspiruara nga projekte arkitektonike dhe struktura urbane, ku do të shtrihen ndërhyrjet artistike për të stacionuar konstatime të një shoqërie tranzitore me kontraste dhe diferenca të jashtëzakonshme. Ky diskutim do të ketë jo vetëm karakter pamor, por edhe të debatit në formën e tryezës së rrumbullakët me individë apo grupe të interesuara për të mësuar më shumë rreth kësaj infrastrukture të rrëmujshme, ku individi e sheh veten si në një teatër të mbyllur, të cilin e kufizon një bulevard periferik “Baudrillard”, por edhe si arsyetim mobil se qenia humane është një objekt-subjekt i lëvizshëm si fizik po ashtu dhe i qëndrueshëm. Ekspozita do të zhvillohet në galeria FAP në Akademinë e Arteve nga data 9 deri më 20 shkurt. “Maket”mund të jetë modeli i një vepre arti, i një ndërtese a grupi ndërtesash, i një makine, i një vegle etj, i zvogëluar ose në madhësi natyrore. Kemi maket i ndërtesës i urës, maket i një fshati, qyteti, maketi i skenës.
Piktura e rrallë e Pikasos shitet për 13 milion dollarë
Një kryevepër e Pikasos, e cila nuk ishte parë në publik për më shumë se katër dekada, është shitur në ankand për rreth 13 milionë dollarë. Piktura “Tete de Femme(Jacqueline), portret i gruas së dytë të artistit spanjol, pritej të shitej për më pak se gjysma e çmimit që mori në ankandin në Londër. Thuhet se gruaja e Pikasos e kishte qafën më të shkurtër se piktura e bërë, por duket se bashkëshorti i saj, Pikaso e ka ekzagjeruar pak me këtë pikë të fizikut. Piktura e kompletuar në 1963, nuk ishte parë prej vitit 1967, dhe për afro 30 vjet ka qenë në të njëjtin koleksion.
4 Shkurt 2010