Mashtrimi me kartat telefonike, përfundojnë në pranga shtatë persona
Shtatë persona kanë përfunduar në prangat e policisë, pasi kanë mashtruar njerëz nëpërmjet thirrjeve telefonike, duke iu "rrëmbyer" para. Katër prej tyre janë kapur në Tiranë, ndërsa tre të tjerë në Tropojë. Burimet policore të kryeqytetit thanë se specialistët e Seksionit të Luftës Kundër Krimit Financiar, nën drejtimin e Task Forcës së Krimit Financiar dhe Korrupsionit, në kuadër të operacionit të koduar "Mashtrimi", realizuan arrestimin në flagrancë të katër personave si dhe ndjekjen në hetim të lirë të një tjetri. "Në prangat e policisë përfunduan Bashkim Aqif Baja, 52 vjeç, Naim Beqir Gjoklaj, 27 vjeç, Petrit Hasan Sheta, 34 vjeç, dhe Esat Xhemal Baja, 42 vjeç, të gjithë banues në Tiranë. Ndërsa Gjin Mark Ndoi, 31 vjeç, u la të ndiqet në hetim të lirë. Në sajë të një hetimi njëvjeçar, duke përdorur metodat speciale të hetimit, është mundësuar dokumentimi i veprimtarisë kriminale, ku këta persona në bashkëpunim vidhin me anë të mashtrimit karta rimbushjeje të kompanive të telefonisë celulare. Dyshohet se të lartpërmendurit kanë mashtruar njerëz të ndryshëm, të cilët kanë aktivitet privat, duke iu treguar atyre se ishin përfitues të lotarive të ndryshme dhe në këmbim të çmimit të rremë u kanë marrë karta telefonike. Nga hetimet e deritanishme është mundësuar tërësisht implikimi i personave të sipërcituar dhe dokumentimi i plotë i veprimtarisë së tyre të paligjshme. Ndërkohë, gjatë kontrollit të banesave, atyre iu sekuestruan aparate dhe numra të telefonave celularë, me të cilat dyshohen se kanë kryer mashtrimin, një armë zjarri dhe 350 fishekë. Policia tha se po punon për identifikimin e personave të dëmtuar nga ky mashtrim, për t‘u paraqitur pranë Policisë së Tiranës, për të deponuar kallëzim mbi ta. Ndërkohë, edhe në Tropojë duket se ka marrë fund ankthi dhe bezdisja e qindra klientëve të telefonave celularë, një pjesë e të cilëve ranë viktima të mashtrimit për oferta të rreme fituese. Shpëtim Selimaj, 29 vjeç, nga fshati Valbonë, Florjan Qehaja, 21 vjeç, nga fshati Cërrnicëm dhe Daniel Bushgjokaj, 20 vjeç, nga fshati Cërrnicë, janë vënë në pranga dje rreth orës 06:00 të mëngjesit nga Policia e Tropojës. Këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, prej një muaji mashtronin dhjetëra qytetarë, duke u hequr si menaxherë lokalë në kompanitë celulare private. Pasi i merrnin në telefon, u komunikonin se ishin "fitues" të një programi që kishte vetë kompania dhe u premtonin atyre shumat nga 2 mijë deri në 3 mijë euro, duke i konsideruar "të përzgjedhur" prej kompanisë që ata "përfaqësonin". Mirëpo përfitimi i çmimit mund të bëhej vetëm kundrejt dhjetëra kartave rimbushëse që qytetarët duhej t‘i blinin e më pas t‘ua jepnin numrat e këtyre kartave rimbushëse mashtruesve. Ky grup kriminal ishte kthyer në makth për qindra qytetarë, të cilët ishin të painformuar mirë mbi çfarë po ndodhte, që u kanë besuar në jo pak raste. Burimet e policisë thonë se denoncimet për raste të tilla kanë qenë me dhjetëra, në të tre rrethet e Qarkut të Kukësit, veçanërisht në Tropojë. Specialistët e Krimeve, pas një pune hetimore, kanë arritur të kapin tre të rinjtë, që bashkëpunonin me njëri-tjetrin dhe akuzohen për veprën penale të mashtrimit.