E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria, inspektim për veprimet e gjyqtarit Lleshi

Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ka urdhëruar Drejtorinë e Inspektimit të kontrollojë në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Mat në lidhje me ngjarjen e ndodhur midis gjyqtarit Murat Lleshi dhe gazetarëve të "Top Channel". Lajmi është bërë i ditur nga zëdhënësja e Dikasterit të Drejtësisë, Migen Demrxhi, e cila ka sqaruar se ministri është informuar nga kronikat e publikuara në media lidhur me ngjarjen e ndodhur në Burrel. Në të njëjtin reagim lidhur me këtë ngjarje ku si rrjedhojë e veprimeve të gjyqtarit dhe vëllait të tij, u lëndua gazetari i emisionit "Fiks Fare", Ksenofon Ilia, ministria e Drejtësisë bën të ditur se bazuar në përfundimet e inspektimit që do të kryhet do të përcaktohen edhe hapat e mëtejshëm që do të ndërmerren.

Për ngjarjen e Burrelit ka reaguar edhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit, i cili në një deklaratë për shtyp "dënon ashpër këtë akt dhune ndaj gazetarit Ilia, si edhe fyerjet ndaj grupit të xhirimit aq më tepër sepse autor i kësaj vepre të dëmshme është personi i veshur me petkun e gjyqtarit që ka për detyrë të mbrojë në përgjithësi të drejtat e shtetasve dhe në veçanti lirinë e shtypit". KSHH gjithashtu shpreh besimin se Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe organet e ndjekjes do të marrin masat përkatëse në përputhje me ligjin, për të zbardhur këtë ngjarje.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›