E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prag krize për pedagogë të kualifikuar

Universitetet shqiptare kanë deficenca të theksuara pedagogësh të kualifikuar dhe në të ardhmen kjo mungesë do të vihet re edhe më shumë, duke krijuar një vakum që kërcënon cilësinë e shkollave të larta publike dhe private. Ka qenë ky shqetësimi që është ngritur në konferencën e djeshme të rektorëve të Ballkanit.

Këshilltari i Kryeministrit për çështjet e Arsimit, Myqerem Tafaj, i drejtpërdrejtë në fjalën e tij, ka theksuar faktin se pas të paktën pesë vitesh në arsimin e lartë do të ndihet mungesa e përvojës së pedagogëve të vjetër, të cilët për shkak të moshës do të jenë të detyruara të braktisin punën, duke dalë në pension. Por cilët do të jenë ata që do t‘i zëvendësojnë? Kjo pyetje ka pasur si përgjigje problematikën e kualifikimit të pedagogëve të rinj. Sipas Tafajt, në këtë drejtim bëhet pak dhe nuk është shumë i madh numri i atyre pedagogëve të rinj që kanë doktoratura. Aktualisht, në universitetet shqiptare zhvillimi i masterave dhe doktoraturave është ndërprerë për shkak të ripërtëritjes së kurrikulës, një proces ky që kërkon jo vetëm kohë, por edhe investime serioze. Ndërkohë që numri i universiteteve në rrethe dhe filiale të reja është rritur duke shtuar edhe kërkesën për njerëz profesionistë e shumë të kualifikuar në mësimdhënien universitare.

Nga ana tjetër, vetë ministri i Arsimit dhe Shkencës, Genc Pollo, është shprehur se "për sa i përket konceptimit të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve, zhvillimet kombëtare janë në përputhje me Kornizën Evropiane të Kualifikimeve". Ai ka shtuar se "grupi i punës i ngritur po punon për përgatitjen e Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve në Shqipëri, e cila do të krijojë kushtet për një përputhje më të mirë me nevojat e tregut të punës për burime njerëzore të kualifikuar". Ministri Pollo ka premtuar gjithashtu se "së shpejti do të miratohet edhe ligji për KSHK-në". Ndërkohë që, vetë rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, ka kërkuar nga ana e politikbërësve të arsimit që të shtojnë Fondin e Ekselencës, në mënyrë që të rritet edhe numri i përfituesve prej saj. Përmes këtij fondi mundësohet kualifikimi jashtë vendit i një numri të kufizuar pedagogësh të rinj.

Një hapësirë të veçantë në fjalën e ministrit të Arsimit ka zënë edhe çështja e reformimit të kërkimit shkencor. "Një nga zhvillimet më të rëndësishme të procesit të Bolonjës është integrimi i Hapësirës Evropiane të Arsimit të Lartë (HEAL) me Kërkimin Shkencor. Në këtë kuadër në Shqipëri të gjitha institucionet e kërkimit shkencor i janë nënshtruar reformimit të thellë për ndërtimin e një sistemi bashkëkohor të kërkimit shkencor në Shqipëri", u shpreh Pollo. Ai sqaroi se qëllimi kryesor i kësaj reforme është integrimi organik, në të gjitha planet, i arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, për të krijuar sistemin e shkencës, në qendër të të cilit do të jenë universitetet.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›