E Diel, 1 Nëntor 2026

Pse nuk jep dorëheqjen Vilma Premti

Çdo humbje e parakohshme e një jete njerëzore meriton më shumë vëmendje se vdekjet natyrale. Nuk e kemi fjalën për formën tradicionale të nderimit deri në grotesk të vdekjes, shprehje tipike e hipokrizisë sonë: lot, ulërima, funeral pa fund njerëzish të njohur e të panjohur që nuk kanë me se të merren, fjalime kot së koti, varre e lapidarë mermeri. Kjo garë propagandistike e shprehjes së dhimbjes mortore shkon ku e ku larg me respektin modest që shqiptarët përgjithësisht kanë për veten, të afërmin apo kolegun në gjallje: I vdekuri respektohet e nderohet më shumë se i gjalli ndër shqiptarë! Por, vitet e fundit loja me vdekjen ka pushtuar edhe politikën, si kurorëzim shtetëror i hipokrizisë dhe demagogjisë: Vdekja nuk është më lajm në Tiranë; ajo po shndërrohet në një lloj politike të re që nuk i gjendet modeli dhe origjina kurrkund. Por politikanët bëjnë më mirë të mos përzihen me homazhet dhe ceremonialet e njerëzve të thjeshtë, edhe pse, sipas kanunit, edhe "gjakësi (vrasësi) mund të marrë pjesë në varrimin e të vrarit". Sepse, përgjithësisht, në një lloj mënyre në çdo vdekje të parakohshme politika "ka gisht" dhe pjesëmarrja e politikanëve në këto varrime ka një dozë jo të pakët të shtiruri për arsye politike, partiake apo shtetërore. Por, me sa duket, politikanët e kanë këtë huq: pasi të vrasin përmes mosqeverisjes duan edhe të të qajnë! Ja, për shembull. Kam njohur personalisht një nga viktimat e tragjedisë së Farkës, të ndjerën Fëllëza Spahiu, me të cilën kemi kryer së bashku studimet universitare. Ajo ishte një nëpunëse model e shtetit shqiptar dhe një familjare shembullore. Punonte prej disa vjetësh si financiere në Shërbimin Social Shtetëror në Tiranë, institucion që varet nga Ministria e Punës. Pas 23 vjetësh në shërbim të shtetit shqiptar, ajo priste të gëzonte frytet e investimit personal dhe familjar: të shkollonte djalin e vajzën dhe pastaj të gëzonte disa vite të qeta në prag të pensionit. Por qe shkruar "i zi fat‘ i saj": do të mbytej bashkë me djalin e saj në liqenin e Farkës më 6 mars të këtij viti. Fëllëza Spahiu vdiq aksidentalisht dhe kjo nuk kishte lidhje direkte me politikën apo qeverinë; përveç motivimit profesional, ajo nuk kishte as lidhje anëtarësie apo afeksioni me ndonjë parti apo grupim politik. Dhe deri këtu kjo ngjarje nuk i kapërcen kufijtë e një tragjedie personale, familjare dhe të një rrethi të caktuar shoqëror.

Mirëpo ndryshon puna kur në mes futet politika. Ja lajmi i datës 7 mars 2008 (dy ditë pas tragjedisë), i cili më detyroi të them disa të vërteta të dhimbshme publike: "Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, gjatë pasdites së sotme ka ngushëlluar për fatkeqësinë familjen Spahiu. Gjatë vizitës së ngushëllimit në familjen Spahiu, Kryeministri shprehu dhimbjen e madhe dhe ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje të rëndë, e cila ka shokuar mbarë opinionin publik". Në pamje të parë, vizita e Kryeministrit duket fare normale, sidomos pas fjalëve të tilla si "Kryeministri shprehu dhimbjen e madhe dhe ngushëllimet më të sinqerta". Problemi është se në rastin konkret ose Kryeministri "ka shkuar në tym" dhe nuk ka asnjë informacion për "subjektin" që viziton, ose edhe ai luan hipokritin me dhimbjen e qytetarëve të tij. Sepse, duhet thënë për shpirt të së ndjerës, tragjedisë së familjes Spahiu i ka paraprirë një dramë me motiv politik. Fëllëza Spahiu iku nga kjo botë e idhnuar, e brengosur, iku me një kujtim që "shteti i saj e kishte vrarë paraprakisht", duke e pushuar pa të drejtë dhe pa asnjë motiv serioz nga puna. Vetëm disa ditë para se humbte jetën, ish-nëpunësja e shtetit i pati dërguar një letër ankesë qeverisë "Berisha", ku i kërkonte sqarime dhe rikthimin në punë, por përgjigjja nuk i erdhi kurrë asaj, as familjes Spahiu pas vdekjes së njeriut më të dashur. Si koleg i së ndjerës, e patëm konsultuar këtë problem duke e ndjekur hap pas hapi. Fillimisht kishte besim se do të rivihej drejtësia në vend, sidomos kur ministri i Punës, Kosta Barka, kërkoi rikthimin e saj në punë. Por më çudiste arroganca e drejtores Vilma Premti, e cila lart e poshtë thoshte: "Nuk marr urdhra nga ministri! Jam emërtesë e Kryeministrit Berisha dhe nuk pyes njeri tjetër në vendimet e mia!". Edhe sot, pasi Fëllëza Spahiu ka vdekur, kur kujtoj sjelljen e kësaj zyrtareje të lartë të administratës (pjesë e emërtesës politike) them me vete: "Kur edhe drejtuesit e të ashtuquajturit "shërbim social publik" (që nënkupton solidaritet, fisnikëri, bamirësi, kurim dhe rehabilitim të deviacioneve sociale) sillen kështu me njerëzit e tyre, vaj medet për të varfrit, të sëmurët, të droguarit, të alkoolizuarit që presin ndihmë!". E, pra, politika ka prodhuar drejtues të tillë, madje i ka vënë në krye të shërbimeve publike humanitare! Zyrtarë që në vend të ndihmojnë, brengosin dhe u nxijnë kot së koti jetën edhe njerëzve që kanë nën urdhër. Në fund të fundit, ç‘vlerë ka respekti për vdekjen kur nuk respekton jetën. Tingëllon hipokrizi vendimi i qeverisë që "familjes Spahiu i akordohen 1 milion lek nga shteti si ndihmë për humbjen e dy pjesëtarëve të saj, Fëllëza Spahiu dhe Arlind Spahiu", kur, vetëm disa ditë para se të ndodhte tragjedia, administrata e këtij shteti, pa asnjë motivim, e pati hedhur në rrugë viktimën, duke i hequr pas 23 vjet pune në shërbim të këtij shteti, të drejtën për punë, për jetë dinjitoze, për të ushtruar profesionin? Çfarë vlere kanë paskëtaj "dhimbja e madhe dhe ngushëllimet më të sinqerta" shtetërore? Nëse ky shtet dhe këta zyrtarë duan të reflektojnë pas tragjedive të tilla, në rast se kanë dinjitet përshpirtjen për viktimat nuk ka nevojë ta shprehin me lot dhe fjalë, as edhe duke bërë nekropolitikë me vizita në familjet e viktimave. Sjellja shtetërore nuk mund të zëvendësohet me sjelljen familjare. Në rrethana të tilla, zyrtarët kanë disa mënyra të denja reagimi si: të rikthejnë të drejtat e mohuara në gjallje të viktimës, të kërkojnë falje publike dhe nëse i përkasin sektit demokrat, të japin dorëheqjen nga posti publik. Nga ana tjetër, në rast se drejtore e SHSSH, Vilma Premti, siç duket, pas kësaj që ndodhi, nuk ka kurajën civile e nuk dëshiron të lajë shpirtin me dorëheqje nga posti i drejtores së Përgjithshme të SHSSH, pse nuk e shkarkon zoti Kryeministër apo ministri i Punës si dëshmi e epërme e respektit ndaj dinjitetit dhe jetës njerëzore? Apo konsiderohet i mjaftueshëm respekti për vdekjen? Nëse është kështu, atëherë nuk kemi të bëjmë me një qeveri dhe politikë të mbështetur mbi humanizmin, por për një nekropolitikë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›