Mjekët në gjykatë: Është kurth ndaj nesh.
Masa e sigurisë
Prokuroria, kundërshtoi pretendimin se kemi prova dhe materiale filmike kur infermieret kërkojnë para
TIRANË- Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet, me kërkesë të organit të akuzës mori në shqyrtim kërkesën penale të shqyrtimit dhe verifikimit të masave të sigurisë dhënë në mungesë ndaj tre mjekëve dhe tri infermiereve të maternitetit "Koço Gliozheni", të dyshuar se kanë konsumuar akuzën e "korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike" në bashkëpunim.
Para togave të zeza, mjekët e akuzuar për "ryshfet" kanë hedhur poshtë akuzat, duke i cilësuar si kurth të ngritur nga personat e caktuar për të denigruar emrat e tyre.
Asnjëri nga tre mjekët, shefi i klinikës obstetrike pranë maternitetit "Koço Gliozheni" gjinekologu Petrit Rexhepi, mjeku reanimator Dritan Xhangolli, mjeku anestezist Lefter Mano, si dhe dy infermieret mami, Hyre Reçi dhe Nilka Perhati, nuk i kanë pranuar akuzat.
"Asnjëherë në jetë nuk kemi kërkuar para nga pacientët, prej tyre kemi marr vetëm falënderime. Por, kuptohet njëri që mban mëri apo dëshiron të dëmtojë figurën e mjekut dhe kallëzon në prokurori për ryshfet, kallëzim ky që do të provohet se është fiktiv",- thanë një zëri tre mjekët, duke i kërkuar gjykatës t'i lirojë nga masa e sigurisë.
Edhe infermieret e ndaluara, kanë kërkuar të lirohen nga masa e sigurisë dhe përgjegjësia penale e ngritur ndaj tyre, me pretendimin se "akuzat janë shpifje të personave të interesuar për të dëmtuar punën dhe imazhin e krijuar në punë". Ndërkohë, në fund të fjalës së tyre, mjekët kanë akuzuar prokurorinë se i ka futur në kurth për llogari të personave që dëshirojnë të shkatërrojnë imazhin e tyre të ngritur prej vitesh me punë.
Përfaqësuesi i akuzës kundërshtoi këto pretendime, duke u shprehur se ka prova dhe dëshmi që provojnë se të dyshuarit kanë konsumuar veprën penale të "korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike" në bashkëpunim gjatë kryerjes së detyrës pranë maternitetit "Koço Gliozheni". Sipas akuzës, ndaj të arrestuarve ka materiale filmike të regjistruara duke marrë ryshfet, fotografi dhe regjistrime me zë, ku infermierët kërkojnë para për doktorët.
Gjykata, pasi dëgjoi pretendimet e palëve, vendosi të lërë në fuqi vendimet e dhëna në mungesë ndaj mjekëve dhe infermierëve, duke i izoluar në shtëpi deri në përfundim të hetimeve. Përveç të ndaluarve, gjykata me kërkesë të akuzës la në fuqi edhe vendimin për infermieren e shpallur në kërkim, e cila ka mundur t'i shpëtojë ndalimit, për shkak se ndodhet jashtë shtetit për arsye private. Sipas prokurorisë, janë provuar dy raste kur mjekët dhe infermierët merrnin "ryshfet" kundrejt vizitave të kryera karshi nënave shtatzëna.