Vetëdorëzohet anëtari i "Hakmarrje për Drejtësi"
Është dënuar nga Krimet e Rënda në vitin 2008, për rrëmbimin e një fëmije që më pas u la i lirë dhe një grabitje
Gëzim Gjoni, u paraqit në polici pasi vendimi i dënimit me tre vite burg ndaj tij mori formën e prerë
TIRANË- Gëzim Gjoni i cilësuar si anëtar i organizatës të ashtuquajtuar "Hakmarrja për Drejtësi", i dënuar me pesë vjet burg u vetëdorëzuar vullnetarisht dje në policinë e kryeqytetit.
Gjoni, 44 vjeç, banues në afërsi të Kthesës së Kamzës, është arrestuar pas dorëzimit nga Sektori i Operacioneve Speciale në Policinë e kryeqytetit, ndërsa duhet të vuajë edhe 14 ditë nga dënimi i dhënë ndaj tij.
Ai është dënuar për veprat penale të "vjedhjes me pasojë vdekjen", "rrëmbimit ose mbajtjes peng të personit në rrethana lehtësuese", të kryera në kuadrin e veprimtarisë së organizatës kriminale ku bënte pjesë.
Lajmi për ndalimin e 44 vjeçarit nga Tirana është bëri i ditur dje nga burime zyrtare të Policisë së kryeqytetit, ku thuhet se Gjoni është shpallur fajtor për gjitha akuzat e ngritura ndaj tij më 1 korrik të vitit 2008, ku Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda ka vendosur dënimin e këtij të fundit me pesë vjet burg.
Por këtij të fundit i ka mbetur për të vuajtur burg në qeli vetëm dy javë, nga masa e dënimit të dhënë ndaj tij.
Fillimisht shkalla e parë e Krimeve të Rënda kishte vendosur ndaj Gjonit, dënimin me 10 vite heqje lirie për disa akuza të ngritura për të.
Pas vendimit të shkallës së parë, ai u apelua shkallën e dytrë, dhe me korrik të këtij viti dënimi me 10 vjet burg, ndryshohet në 5 vjet heqje lirie. Gjoni është shpallur fajtor për rrëmbimin dhe mbajtjen peng të një fëmije me inicialet E. N, ku vetëm për këtë vepër penale u dënua me tri vite burg.
Gjykata e ka shpallur fajtor Gëzim Gjonin edhe për vjedhjen me dhunë të Pirro Koninit, të cilit është marrë një shumë prej 12 milionë lekësh. Ndalimi i djeshëm është i dyti për 44 vjeçarin, ndërsa mësohet se pjesa e dënimit që i ka mbetur do ta vuajë në një burg të sigurisë së zakonshme.
Më 14 tetor 1998, Prokuroria e Përgjithshme e dërgoi zyrtarisht çështjen e organizatës "Hakmarrja për Drejtësi" në gjykatë, me provat e grumbulluara dhe hetuara që nga viti 1996.
Në muajin tetor të vitit 2003, çështja i kaloi Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila pushoi 8 akuza nga 24 të tilla dhe më datën 14-shtator të vitit 2004 e depozitoi çështjen për gjykim në Gjykatën Krimeve të Rënda.
Të pandehur e kësaj dosjeje ishin 11 persona Orik, Roland dhe Leart Shyti, Altin Arapi, Nikolin e Pasho Novruzaj, Kreshnik Spahiu, Gentian Caka, Dritan Hate, Gëzim Gjoni dhe Enkelejd Agaj i cili u vra më 8-janar të vitit 1999 nga persona të paidentifikuar.