E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e vëllezërve Bytyçi dhe drejtësia serbe.

Më 22 shtator 2009, Gjykata për Krime Lufte (GJKL) e Serbisë liroi si të pafajshëm Sreten Popoviq dhe Milosh Stojanoviq, dy ish-pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, të akuzuar për torturim, shkelje të së drejtës për gjykim të rregullt dhe vrasje të tre vëllezërve: Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi.


Vëllezërit Bytyçi ishin ekzekutuar në korrik të vitit 1999, pakëz pas përfundimit të Luftës së Kosovës.


Tre vëllezërit ishin qytetarë të Amerikës dhe anëtarë të Batalionit "Atlantiku", një kontigjent me luftëtarë nga komuniteti shqiptaro-amerikan, që iu bashkangjit UÇK-së në prill 1999. Ylli, Agroni dhe Mehmeti ishin arrestuar për kalim ilegal të kufirit serb dhe nga Gjykata e Prokuples ishin dënuar me 15 ditë burg.


Katër ditë përpara skadimit të afatit të burgimit, tre vëllezërit iu ishin dorëzuar agjentëve të Shërbimit Sekret të Serbisë, të cilët i kishin dërguar ata në bazën kryesore të Forcave Speciale të Xhandarmërisë Serbe në Petrovo Selo dhe i kishin vrarë.


Eshtrat e vëllezërve Bytyçi u gjetën në një varrezë masive me mbetjet mortore të mbi 60 shqiptarëve të tjerë tek në vitin 2001 dhe pas interesimit të fortë për fatin e shtetasve të vet të Qeverisë Amerikane.


Pas analizave, ekipet forensike dhe specialistë të Byrosë Federale për Investigim (FBI) të SHBA-së kishin ardhur në përfundimin se të tre vëllezërit kishin pasur duart e lidhura, sytë e zënë me shirita të zinj dhe ishin ekzekutuar nga afër.


Verdikti i GJKL të Serbisë për lirimin e Popoviqit dhe Stojanoviqit dhe prezantimi formal juridik i shfajësimit të tyre, janë dy njolla të mëdha turpi për drejtësinë serbe pas-Milosheviçiane.


Sipas kompanisë mediatike serbe B92, me rastin e shpalljes së aktgjykimit, gjykatësi kryesues, Vesko Krstajiq, deklaroi para mediave se versioni më i fundit i aktakuzës ngarkonte Popoviqin dhe Stojanoviqin për pjesëmarrje në vrasje, por kishte mënjanuar akuzimin e tyre si "bashkëfajtorë" gjegjësisht "aksesorë në vrasje".


Gjykatësi Krstajiq shtoi se: "vëllezërit Bytyçi kishin statusin e robërve të luftës dhe për rrjedhojë, ishte e padiskutueshme që pranim/dorëzimi i tyre nga /////// dhe para burgut të Prokuples ishte një akt i paligjshëm".


Akuza origjinale për Popoviqin dhe Stojanoviqin ishte dorëzimi i vëllezërve Bytyqi "personave të panjohur" nga Ministria e Brendshme e Serbisë. Kryesuesi i Trupit Gjykues, Krstajiq, theksoi se ishte shqetësuese që tre djelmosha të rinj ishin vrarë dhe ende është plotësisht e paqartë pse kishte ndodhur krimi dhe në interes të kujt kishte qenë.


Gjykatësi Krstajiq, duke përfunduar komunikimin e tij në media tha që "pasiqë dëgjuam deklaratat e mbi 50 dëshmitarëve dhe ekspertëve, erdhëm në përfundim që akuzat e përshkruara në padinë e re nuk ishin provuar gjatë paraqitjes së evidencës".


Avokati mbrojtës Bozho Preleviq, po sipas B92, duke folur para njerëzve të medias në hyrje të ndërtesës së Gjykatës, pranoi që "vrasja e vëllezërve Bytyçi ishte një krim serioz dhe i tmerrshëm, por procesi gjyqësor nuk kishte konstatuar se kush i kishte vrarë tre vëllezërit dhe cili kishte qenë motivi i krimit, prandaj edhe nuk priste që Gjykata Kushtetuese do të kthente aktvendimin në rishqyrtim".


Bazuar në lajmet nga B92 dhe agjenci tjera botërore, Prokuroria për Krime Lufte e Serbisë ka bërë të ditur që nuk pajtohet me verdiktin, duke këmbëngulur se dy ish-policët, Popoviq dhe Stojanoviq, kanë fshehur të vërtetën për pjesëmarrjen e tyre në vrasje gjatë gjykimit. Prokurori ka premtuar se do të apelojë vendimin e GJKL-së.


Gjykimi i ish-policëve Popoviq dhe Stojanoviq është vetëm një hallkë në zinxhirin e krimit mbi vëllezërit Bytyçi, pasi kreu i zinxhirit shkon deri lart në kupolën e regjimit të Serbisë së Milosheviqit - te dy të dyshuarit kryesorë për vrasjen, Vlastimir Gjorgjeviq, ish-shef për Siguri Publike, dhe Goran Radosavleviq - Guri, ish-shef i Xhandarmerisë.


I pari, që momentalisht gjendet në Hagë, ku po gjykohet për krime kundër njerëzimit në Kosovë, besohet se ka organizuar rrëmbimin, trasportimin dhe vrasjen e vëllezërve Bytyçi, kurse i dyti, nuk është vështirë të arrihet te konkluzioni se duhet të ketë qenë në dijeni të plotë të krimit, sepse ai ishte komandanti i bazës në Petrovo Selo dhe në kontakt të përhershëm me Gjorgjeviqin në kohën kur ishte bërë vrasja makabre.


Drejtësia serbe duhet gjithsesi të ndëshkojë urdhërdhënësit. Ka mundësi që në Serbi, tashmë kur Milosheviqi nuk është në këtë botë, të ketë tentime që e tërë fajësia t'i hidhet atij, mirëpo pikërisht për këtë, përpos urdhërdhënësve është shumë me rëndësi që të marrin dënimin e merituar edhe ata që zbatuan urdhrat.


Njeriu nuk mund të pëlqejë vrasjen dhe të urrej dënimin. Jo rrallë është tentuar që krimet dhe llahtaritë e shumta të shpjegohen duke provuar të hiqet përgjegjësia personale e individit.


Kur drejtësia lejon diçka të tillë, kjo është një armë efektive që u ofrohet monstrave të së tashmes dhe të së ardhmes. Kriminelët si Hitleri, Milosheviqi dhe Sadami, poqese nuk do të gjenin njerëz si Popoviqi dhe Stojanoviqi dhe aradha të tëra të gatshmish të punojnë për ta, kurrë nuk do të kishin qenë në gjendje të vrisnin me miliona njerëz.


Apratçiku nazist Adolf Eichman, ndërsa gjykohej për krime kundër hebrenjve dhe njerëzimit në Jerusalem, kishte fytyrë të deklaronte: "Tash që mund të shikoj prapa, e shoh se jeta e vendosur në themelet e bindjes dhe pranimit të urdhrave është një jetë padyshim e patrazim". Fakti që, Eichman ishte një burokrat ordiner, nuk ia lau shpirtin dhe nuk e shpëtoi nga dënimi që meritonte. E njëjta vlen edhe për Popoviqin dhe Stojanoviqin.


Ata, të dy, është dashur ta dinin se të ishe amerikan dhe shqiptar siç ishin vëllezërit Bytyçi, dhe të liheshe në duart e Shërbimit Sekret të Milosheviqit nuk të priste më pak se vetë vdekja.


Ashtu sikur Eichman niste hebrenjtë drejt katastrofës, ashtu edhe Popoviqi dhe Stojanoviqi nisën tre shqiptaro-amerikanët drejt mortit. As hebrenjtë e as shqiptarët nuk u vranë nga një njeri i vetëm, por nga shumë.


Popoviqi dhe Stojanoviqi, tamam si Eichmani, e patën rastin të çelnin shtegun e shpresës për të ardhmen e njerëzimit, duke pranuar fajin dhe duke treguar para drejtësisë se cilët ishin bashkëpunëtorët e tyre, por nuk e bënë këtë.


Ambasada Amerikane në Beograd ka reaguar dhe shprehur shqetësim të thellë, që ende askush nuk është dënuar për vrasjen e shtetasve amerikanë Bytyçi. Përfaqësia kryesore e SHBA-së në Serbi, në një deklaratë zyrtare, ka cekur se "pret që autoritetet serbe të sjellin para drejtësisë ata që janë përgjegjës për vdekjet e Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçit. Ndërsa kanë shprehur shpresën se Prokuroria do të hetojë agresivisht çfarëdo shtegu që çon në zgjidhjen e rastit".


Familja Bytyçi ka mbetur e përhumbur në vorbullën e dhimbjes dhe shpresës, se drejtësia për krimin mbi bijtë e tyre do të vihet në vend, porse drejtësia serbe po tregon shumë qartë, se nuk do dhe nuk mundet të përdorë shpatën e sistemit të drejtësisë. Fatos Bytyçi, vëllai i Yllit, Agronit dhe Mehmetit, është takuar dy herë me Presidentin e Serbisë, Boris Tadiq, i cili i ka premtuar atij dhe familjes Bytyqi, se enigma e vrasjes së tre të dashurve të tyre do të zgjidhet dhe fajtorët për vrasjen do të marrin dënimin.


Përpos Natasha Kandiqit, askush në Serbi - as mbi 50 dëshmitarë dhe ekspertë në gjykimin e Popoviqit dhe Stojanoviqit, duket se nuk kanë kurajon të pranojnë dhe të thonë të vërtetën mbi krimin ndaj tre shqiptarëve dhe amerikanëve njëkohësisht - Yllit, Agronit dhe Mehmetit.


Koha ka ardhur që Qeveria Amerikane të insistojë që hetimet dhe procesi gjyqësor për krimin mbi vëllezërit Bytyçi të kalojnë nën kontrollin e drejtësisë amerikane ose ndërkombëtare.


Koha është pjekur gjithashtu, që familja dhe rrethi i vëllezërve Bytyçi të ndjekin rrugën e hebrenjve me Gjermaninë dhe të padisin Serbinë si shtet. Në një mënyrë apo në një tjetër drejtësia për vëllezërit Bytyçi duhet medoemos të vihet.
* Autori gjatë Luftës së Kosovës ka qenë luftëtar i Batalionit "Atlantiku".

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›