E Diel, 1 Nëntor 2026

Ulen investimet, ja rrugët që do ndërtohen gjatë 2010

 

ADI SHKEMBI

Në vitin 2010 qeveria do të investojë rreth 900 milionë USD, në krahasim me 1 miliard USD, shifër e parashikuar për tu investuar deri në fund të vitit 2009. Shkak i uljes së shifrës së investimeve është përfundimi i rrugës Durrës-Kukës. Në projektet e parashikuara për t’u investuar nga buxheti i shtetit për vitin e ardhshëm vendin më të madh e zënë rrugët. “Shpenzimet kapitale janë parashikuar në nivelin 83.3 miliardë lekë, (rreth 900 milionë USD) nga të cilat investime me burime të brendshme 59.5 miliard lekë dhe me burime të huaja 23.805 miliardë lekë. Këto nivele të shpenzimeve kapitale të brendshme reflektojnë dhe përfundimin e punimeve për rrugën Rrëshen-Kalimash, ndërkohë që financimi i shpenzimeve kapitale me burime te huaja ka një rritje prej 4.2 miliardë lekë krahasuar me buxhetin suplementar të vitit 2009”, thuhet në relacionin e projekt buxhetit.
Infrastruktura
Në listën e investimeve të parashikuara nga Ministria e Punëve Publike, një pjesë e fondeve të buxhetit të shtetit do të shkojnë për rrugën Rrëshen-Kalimash. Ndërkohë rreth 40 milion lekë, të parashikuara nga investimet e huaja do të shkojnë për lotin e tetë të segmentit Kalimash-Rexhepaj, pjesë e rrugës Durrës- Kukës. Një tjetër prioritet i qeverisë në vitin ardhshëm pritet të jetë rruga e Arbrit ku do të investimet për dy segmente, dalja e urës së Vashës-Bulqizë me tre lote dhe segmenti ura e Brarit- hyrja e tunelit Qafë Murrizi, loti i parë. Në investimet e huaja prioritet pritet të ketë segmenti Levan- Vlorë, i rrugës Fier- Vlorë dhe segmenti Levan-Tepelenë, i rrugës Fier-Tepelenë. Përsa i përket investimeve në fushat e tjera, pritet rikonstruksioni i 27 ambulancave ekzistuese, kompletimi i aparaturave të qendrave spitalore si dhe rikonstruksioni i spitaleve të Korçës, Gjirokastrës, Delvinës dhe QSUT-së, në Tiranë. Ministria e Arsimit, në zërin e shpenzimeve kapitale do të ketë një fond prej 8.6 miliardë lekë apo rreth 30 për qind më i lartë se viti 2009. Sipas relacionit të projekt buxhetit vihet re një rritje e ndjeshme e financimit të brendshëm me 57.7 për qind kundrejt buxhetit suplementar të vitit 2009. Ministria e Ekonomisë do të ketë një fond prej 2.37 miliardë lekë për shpenzime kapitale, fond i cili është rritur me 64.7 % në krahasim me vitin 2009. Programi “Mbështetje për Zhvillim Ekonomik” zë peshën kryesore rreth 30 % të investimeve totale të kësaj ministrie, për të cilin janë parashikuar 719 milionë lekë, gjithashtu një peshë të konsiderueshme zë edhe programi “Mbështetje për Energjinë” me 24.9 % te investimeve totale të kësaj ministrie.

Investimet

Me financime të brendshme:
•    Ndërtim rruga Rrëshen-Kalimash
•    Ndërtim rruga By Pass Plepa-Kavajë-Rrogozhinë, me 10 lote
•    Ndërtim rruga Milot-F. Krujë (dublimi i superstradës), me 10 lote
•    Ndërtim i rrugës së Arbrit (dalja e urës së Vashës Bulqizë), me 3 lote
•    Ndërtim i rrugës së Arbrit (seg.ura e Brarit- Hyrje tuneli Qafe Murrizë), loti 1
•    Ndërtim rruga Dhërmi-Vuno, me 2 lote
•    Ndërtim rruga e Porto Romanos, Durrës, me 2 lote
•    Ndërtim rruga Kukës-Morine
•    Ndërtim Rruga Kardhiq-Delvine, loti 2

Me financime të huaja:
•    Ndërtimi i segmentit rrugor Fier - Vlore (Levan - Vlore)
•    Ndërtimi i segmentit rrugor Fier (Levan) - Tepelene
•    Ndërtim By Pass-i i Fierit
•    Ndërtimi i rrugës Kalimash-Rexhepaj (Loti 8 ) 40 mln
•    Ndërtimi i segmentit rrugor Konispol – Sarande
•    Ndërtimi i segmentit rrugor Shkodër - Hani i Hotit

Investime të tjera:
•    Ndërtimi dhe rikonstruksioni i 27 ambulancave ekzistuese
•    Kompletimi me aparatura i qendrave spitalore
•    Rikonstruksioni i spitaleve të Korçës, Gjirokastrës, Delvinës, rikonstruksion në QSUT
•    Investime në infrastrukturën e kullimit dhe ujitjes; mbrojtje nga përmbytjet; objektet e kullimit dhe hidrovoret

Durrës-Kukës rrit fondin e mirëmbajtjes
Qeveria rrit fondin për në zërin ‘shpenzime operative dhe mirëmbajtja’, me 3.3 miliardë lekë në krahasim me një vit më parë. Në këtë zë të buxhetit është ulur me rreth 1 miliard lekë fondi për shpenzimet operative, kjo edhe për shkak të heqjes së makinave dhe shoferëve të zyrtarëve të lartë. Por në të njëjtën kohë është rritur fondi për mirëmbajtjen, ku pjesën më të madhe duket se do ta marrë sërish rruga Durrës-Kukës, të cilën nga shtatori 2010 do ta marrë qeveria. “Rritja e shpenzimeve operative dhe të mirëmbajtjes do të synojë të rrisë atë pjesë të shpenzimeve që shkojnë për mirëmbajtjen e investimeve, veçanërisht në sektorë të tillë si rrugët, arsimi dhe shëndetësia. Gjithashtu, kësaj rritjeje i përgjigjet politika e re e ndërmarrë së fundmi nga Qeveria mbi rregullimin e shërbimit të transportit të funksionarëve të lartë dhe nëpunësve të administratës publike”, thuhet në projekt buxhet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›