E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tri denoncime për grabitje brenda një nate në Tiranë

 

Etleva Delia

Tri denoncime për grabitje mbërritën në Policinë e Tiranës gjatë natës së shtunë, duke u gdhirë e diela. Denoncimi i parë është bërë në sallën operative kur është njoftuar se dy persona të armatosur janë afruar me synim për të grabitur te porta e një magazine të materialeve të ndërtimit, në afërsi të Vorës, në Tiranë. Roja i objektit që ndodhet në autostradë ka telefonuar shërbimet e policisë. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, por tentativa është zbuluar nga roja i magazinës “Panele Sanduiç”, në autostradë, i cili ka nxituar që të lajmërojë policinë. Sipas burimeve nga policia, mësohet se personat që kanë tentuar të grabisin magazinën, fillimisht i kanë drejtuar armën rojës, por ai ka arritur të shmanget me shpejtësi duke u drejtuar për te kabina e shërbimit për të lajmëruar policinë. Gjatë kësaj kohe roja ka përshkruar për hetuesit se ka marrë armën e shërbimit, për t’iu kundërvënë grabitësve. Në këtë moment dy personat janë larguar me shpejtësi me makinë pa i lënë mundësi rojes që të fiksojë targën e automjetit. Një përshkrim i tillë nuk u dha gjatë dëshmisë së marrë nga grupi i gatshëm i mbërritur në vendin e ngjarjes menjëherë pas telefonatës në sallën operative. Ngjarja është regjistruar në polici si grabitje me armë e mbetur në tentativë, ndërsa efektivat e policisë po punojmë për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Një tjetër grabitje ka mbetur në tentativë në fshatin Prezë të Tiranës. Një 15-vjeçar ka tentuar të futet në dyqanin në pronësi të Ismail Topit për të vjedhur, por ky i fundit e ka zbuluar dhe e ka ndaluar adoleshentin duke lajmëruar njëkohësisht edhe policinë e Vorës. Burimet thanë se arritën të ndalonin të miturin me iniciale V.M., i cili u la sërisht i lirë për shkak të moshës. Denoncimi i tretë është bërë në polici për një grabitje, e cila është realizuar nga autorët të cilët kanë marrë sende me vlerë në një banesë. Ngjarja ka ndodhur pranë qendrës së Tiranës, në rrugën “Haxhi Hysen Dalliu”. Persona ende të paidentifikuar, kanë arritur që të realizojnë vjedhjen me thyerje të një banese në këtë zonë. Pronarja e shtëpisë, R. Bollano, e cila nuk ndodhej në banesë në momentin kur është realizuar vjedhja, sapo është kthyer ka konstatuar thyerjen e derës ndërsa ka vënë re objektet që mungonin. Menjëherë ajo ka denoncuar ngjarjen në polici, duke thënë se i janë vjedhur dy kompjuterë portabël, si dhe disa bizhuteri floriri të kushtueshme. Policia tha se hetuesit kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes, duke fiksuar disa shenja të mundshme identifikuese. Sipas policisë, autorët e ngjarjes ende nuk janë zbuluar ndërsa po hetohet për identifikimin e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›