Mashtrimi për atentatin, prangoset Marian Gryka
SHKODËR – Sapo ka lënë spitalin, Marian Gryka është arrestuar pasi dyshohet për mashtrim të rremë dhe armëmbajtje pa leje. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Shkodrës bëjnë të ditur se në mesditën e djeshme, rreth orës 13.30, u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të rrethit të Shkodrës, për caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg“ ndaj shtetasit Marin (Marian) Gryka, 37 vjeç, lindur në Shkodër dhe banues në Tiranë. Sipas tyre, Gryka, i deklaruar si shoqërues i Azem Hajdarit, akuzohet për veprat penale të “armëmbajtjes pa leje” dhe “kallëzim të rremë”.
Hetimi
Zëdhënësja e Policisë së Qarkut, Fatbardha Çelepia bën të ditur se vendimi i marrë nga kjo gjykatë ndaj 37-vjeçarit Gryka lidhet me çështjen penale të datës 27 shtator, ku në orën 21.30, në vendin e quajtur Zogaj, në aksin rrugor Shirokë-Zogaj, të qytetit të Shkodrës, është plagosur me armë zjarri vetë personi i ndaluar. Ky vendim është mbështetur në rezultatet e hetimeve të kryera, në aktet e ekspertimit balistik, kimik, e mjeko-ligjor si dhe në thëniet kontradiktore të shtetasit Marian Gryka rreth ngjarjes se ndodhur atë natë. Gjithashtu, në vazhdim të hetimeve dhe grumbullimit të provave, Drejtoria e Policisë së Qarkut të Shkodrës do të ngrejë një padi ndaj Marian Grykës për veprën penale të “shpifje ndaj policisë”.
Dyshimi
Që në momentin ku ndodhi ngjarja, rreth dy javë më parë, ekspertët ngritën disa pista hetimi për plagosjen e Grykës: së pari, lidhur me deklaratat e tij dhe pretendimet si president i shoqatës “Azem Hajdari”, pasi ai kishte kërkuar rihapjen e dosjes së vrasjes së liderit të dhjetorit; së dyti, nga pretendimet e vetë Marian Grykës se ka marrë mesazhe kërcënuese përmes celularit nga numra telefoni nga Serbia; konfliktet personale të tij me persona të tjerë, si dhe pista e fundit për dyshimin e një atentati të simuluar prej vetë Marian Grykës apo personave të tjerë. Ndonëse kaluan disa ditë, policia nuk arriti të identifikojë asnjë gjurmë të personave të përfshirë në këtë atentat. Ky dyshim ka lindur edhe nga dëshmitë kontradiktore të tij për rrethanat e plagosjes. Pas disa ditësh hetimi, policia ka arritur në përfundimin se Gryka ka mashtruar dhe do të përballet me dy akuza.
Menjëherë pas atentatit, që nga spitali, Marian Gryka e konsideroi atentat, ngjarjen e ndodhur, duke e motivuar me qëndrimet politike të tij dhe kërkesën e vazhdueshme për rihapjen e dosjes “Hajdari”. Ai ka pretenduar se ka pasur mesazhe telefonike me SMS , të bëra nga karta të shërbimit celular të Jugosllavisë. Madje, në cilësinë e drejtuesit të shoqatës “Azem Hajdari”, ai ka bërë publike edhe një letër të dërguar Prokurores së Përgjithshme Ina Rama, ku kërkoj rihapjen e çështjes së vrasjes së Azem Hajdarit. Tashmë, shtetasi Marian Gryka, i sapodalë nga spitali, do të ndiqet penalisht për dy vepra penale; atë të “armëmbajtjes pa leje” dhe të “kallëzimit të rremë”.
10 Tetor 2008