Shqipëria, bashkëpunim më të fortë me Bullgarinë në fushën e Drejtësisë
TIRANË - Shqipëria dhe Bullgaria pritet të forcojnë bashkëpunimin e mëtejshëm në fushën e Drejtësisë. Gatishmëria u shpreh të enjten, gjatë një takimi të anëtarëve të Gjykatës së Lartë me Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Bullgarisë, Rumen Jankov, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin tonë, bënë të ditur për gazetën “Albania”, burimet nga Gjykata e Lartë. Gjatë takimit, anëtarët e kësaj Gjykate, vlerësuan si mjaft pozitiv shkëmbimin e eksperiencave me homologët e vendeve të Ballkanit, për t’i dhënë ndihmë konkrete Drejtësisë dhe Gjyqësorit Shqiptar, në arritjen e niveleve të kërkuara ndërkombëtare. Anëtarët e Gjykatës së Lartë theksuan rëndësinë e shkëmbimit të vizitave të tilla, jo vetëm të nivelit zyrtar, por dhe në kontaktet e vazhdueshme, në shërbim të rritjes së bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Bullgarisë në fushën e Drejtësisë dhe veçanërisht, Gjyqësorit. Të njëjtin mendim shprehu edhe Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Bullgarisë, Rumen Jankov, i cili duke vlerësuar shkëmbimet e eksperiencave në këto vizita, siguroi se ato do të vijojnë dhe në nivele teknike, do të jenë më bashkëpunuese, veçanërisht në zbatimin e praktikave në kuadër të mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
Abuzimet me lejet e ndërtimit, prokuroria nis hetimet
LUSHNJË - Prokuroria e rrethit të Lushnjës po përfundon hetimin rreth abuzimeve me lejet e ndërtimit - një dosje hetimore që ka të bëjë me disa zyrtarë aktualë si dhe me ish-drejtues të Drejtorisë së Urbanistikës në Bashki. Objekti i hetimit për zyrtarët e urbanistikës lidhet me dhënien për ndërtim të shesheve në hapësirat publike dhe shkeljet ligjore në procedurat e sipërpërmëndura, të konstatuara nga Auditi i Brendshëm si dhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Në prokurori janë regjistruar rreth 15 denoncime që kanë bërë qytetarë të ndryshëm. Burimet zyrtare nga ky organ bëjnë të ditur se ka rreth 5 muaj që prokuroria po heton një dosje voluminoze në lidhje me këto abuzime dhe shkelje ligjore, por nuk përmendin emra konkretë për shkak të vijimit të hetimeve.
Ishte në kërkim në Gjirokastër, arrestohet në Tiranë
Tiranë - Përgjatë orëve të vona të dy ditëve më parë, specialistët e seksionit Kundër Drogës në Tiranë, realizuan ndalimi i shtetasit në kërkim Edmond Rusho Çaçi, 38 - vjeç, lindur në Gjirokastër dhe banues në Libohovë. Me këtë veprim u arrit ekzekutimi i urdhrit të ndalimit, sepse ndaj tij Prokuroria për Krimet e Rënda Gjirokastër, ka lëshuar urdhrin e arrestit për veprën penale të “Trafikimit të narkotikëve” në bashkëpunim. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua shuma e parave prej 6 000 lekësh. Materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës.
Identifikohen pas gjashtë muajsh vjedhësit e një lokali
Tiranë - Pas vjedhjes së një lokali afro 6 muaj më parë, specialistët e seksionit Kundër Vjedhjeve ndaj Biznesit kanë arritur të identifikojnë autorët e dyshuar të kësaj vjedhje të cilët janë E.Z, 27 - vjeç dhe G. M, 23 - vjeç. Po punohet për kapjen e tyre, të cilët tashmë janë të identifikuar. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprën penale të “vjedhjes, në bashkëpunim”, parashikuar nga neni 134/2 i Kodit Penal.
Kërkohej për vjedhje, ndalohet në banesën e marrë me qira
Tiranë – Dje u ekzekutua urdhri i Prokurorisë për ndalimin e shtetasit në kërkim Dorian Zaimi, 25 - vjeç, lindur dhe banues në Përmet. Ky shtetas u kap nga specialistët e seksionit Kundër Vjedhjeve të Tjera, sepse dyshohet se shtetasi i mësipërm më datë 15 korrik 2008, dyshohet se ka vjedhur në bashkëpunim, banesën në pronësi të një shtetasi. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprën penale të “vjedhjes në bashkëpunim”, parashikuar nga neni 134/2 i Kodit Penal.
Kapet në flagrancë duke vjedhur një i moshuar
Tiranë - Specialistët e seksionit Kundër Vjedhjeve realizuan arrestimi në flagrancë i shtetasit Xhemal Elqeni, 65 - vjeç, lindur në fshatin Vilëz Komuna Zall - Bastar dhe banues në Bathore. Arrestimi i tij u krye sepse dje rreth orës 16:30, u kap në flagrancë, duke prerë dhe vjedhur një sasi teli çeliku, nga rrethimi i sigurisë të këndit sportiv të Hedhjes së çekiçit dhe diskut të ekipit kombëtar të Atletikës. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprën penale të “vjedhjes”, parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal.
10 Tetor 2008