E Diel, 1 Nëntor 2026

Mashtroi 6 biznesmenë, arrestohet bastexhiu

Paratë e marra i denoncuari pranoi se i ka humbur në një pikë bastesh sportive në kryeqytet


TIRANË- Arrestohet bastexhiu i denoncuar nga 6 tregtarë, nga disa rrethe të vendit për mashtrim ndaj tyre, i dyshuar për vjedhjen e një shumë prej afërsisht 65 mijë eurosh nëpërmjet mashtrimit.


Të gjitha paratë e marra tregtarëve, i arrestuari Ardian Vila, 27 vjeç nga Korça, me banim në kryeqytet mësohet se ka pranuar se ua ka marrë tregtarëve denoncues.


Por ai ka pohuar në polici se i kishte "dorëzuar", në një pikë bastesh sportive, në tentativën e tij për t'u bërë i pasur shpejt dhe pa mundim nëpërmjet llotarive sportive. Vila, nga fshati Zhboq i Korçës, është arrestuar nga Antikrimi ekonomik i Policisë së kryeqytetit, pas kallëzimit të depozituar ndaj tij nga disa tregtarë, të mashtruar në Tiranë, Kavajë dhe Fier, që i kishin dhënë në mirëbesim për hapje biznesi shuma të majme parash atij.


Paratë, sipas burimeve të policisë, janë marrë në periudhën janar- maj të këtij viti nga i dyshuari. Sipas burimeve të policisë, Vila hynte në mardhënie me tregtarët dhe pasi kishte krijuar besim tek ata iu kishte marrë paratë.


Sipas deponimit të tij në polici, sapo i ka marrë paratë ai i kishte luajtur bixhoz në një pikë bastesh. "Ejani vemë tek pronari i pikës së basteve ia marrim atij se të gjitha në një vend i kam lënë",- mësohet t'iu ketë pohuar hetuesve të policisë Vila.


Sipas policisë, i riu pasi iu ka marrë shumën e lekëve gjashtë biznesmenëve që kishin aktivitet kryesisht në shitjet shumicës të produkteve të ndryshme, nuk ua ka kthyer ato në afatin e caktuar dhe për këtë vetë të dëmtuarit kanë kallëzuar Vilën në Polici.


Gjatë ballafaqimit të tij për njohje, me të dëmtuarit ai iu ka premtuar tregtarëve të mashtruar se ua njihte borxhin por se e kishte të pa mundur ta shlyente atë. Disa ditë më parë, prokuroria e kryeqytetit kishte nisur hetimet ndaj të arrestuarit dhe ndalimi i këtij të fundit ka ardhur pas një urdhri të lëshuar nga organi i akuzës në Tiranë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›