E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vihet në pranga grabitësi i arkave të objekteve fetare

SHKODËR/ Një 30-vjeçar i dënuar edhe më parë për vjedhje të kishave e xhamive u arrestua për vjedhjen e tri xhamive


SHKODËR - Ka hyrë në xhami jo për t'iu falur Zotit, por për të bërë goditjen e radhës, e cila ka qenë grabitja e arkës së xhamisë së Parrucës.


Ka qenë kujdestari i xhamisë dhe disa besimtarë ata që e kanë zbuluar një 30-vjeçar nga Shkodra, emri i të cilit nuk bëhet i ditur për arsye hetimi, teksa po tentonte që për të dytën herë brenda pak ditëve të merrte paratë që ndodheshin në arkën e xhamisë. Menjëherë ata kanë lajmëruar policinë, e cila e ka vënë në pranga.


Sipas bluve, 30-vjeçari dy shohet se është autori i serialit të grabitjeve të ndodhura në tri xhami të qytetit të Shkodrës dhe rikthimi për të grabitur përsëri njërën prej tyre, pikërisht xhaminë e Parrucës në qendër të qytetit dhe fare pranë selisë së myftinisë së këtij rrethi, ka bërë që ai të zbulohet dhe më pas të arrestohet.


Policia nuk e bën të ditur emrin e tij për arsye hetimi, pasi dyshohet se personi i arrestuar nuk ka qenë i vetëm, por ka vepruar në grup në grabitjen e xhamive. Sipas saj, 30-vjeçari nga fshati Oblikë i Shkodrës është gjetur brenda ambienteve të xhamisë, pranë arkës teksa fliste në telefon, ndërsa ai ka qenë i dënuar edhe dy herë të tjera për vjedhje të objekteve të kultit, xhami e kishë.


Tri xhami kanë rënë pre e hajdutëve pas festës së Fiter Bajramit, kur arkat ishin mbushur plot me para nga besimtarët e fesë islame.


Në harkun kohor të dy ditëve, pikërisht të martën dhe të mërkurën, ishte konstatuar vjedhja e parave që lihen në arkat përkatëse në xhamitë e lagjeve Kiras, Parrucë dhe Bahçallëk të qytetit të Shkodrës.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›