E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherri për parakalimin e makinave, plagosen me thikë dy vëllezër

TIRANË- Një sherr për parakalimin e makinave ka sjellë dhe plagosjen e dy vëllezërve, të cilët janë goditur me thikë nga një 33- vjeçar, ndërkohë autori i dyshuar i plagosjes është arrestuar pak minuta pas ngjarjes.


Burime nga Policia e kryeqytetit pohuan dje se Euglend dhe Julindo Meço, përkatësisht 26 dhe 22 vjeç, mbetën të plagosur me thikë të enjten rreth orës 13 e 30 minuta në rrugën "Frosina Plaku", ku dyshohet të jenë plagosur me armën e ftohtë nga Jetnis Dollapi, 33 vjeç me banim në Tiranë.


Burimet e policisë që i referohen deklarimeve të dëmtuarve dhe të arrestuarit pohojnë se midis dy vëllezërve të plagosur dhe të arrestuarit, fillimisht ka patur një konflikt me fjalë, ku më pas ka përfunduar me përdorimin e thikës, duke u plagosur vëllezërit Meço.


Mësohet se konflikti ka lindur pas parakalimit të një makinë ku po udhëtonin vëllezërit e plagosur. Të njoftuar për sherrin midis tre personave në vendin e ngjarjes ka shkuar efektivat e Komisariatit të Policisë nr. 2, të cilët kanë arrestuar në flagrancë autorin e dyshuar të plagosjes i njohur me emrin Jetnis Dollapi.


Ndërkohë, dy të plagosurit janë dërguar në Spitalin Ushtarak, dhe gjendja e tyre është jashtë rrezikut për jetën, ndërsa i arrestuari akuzohet për veprën penale të "plagosjes së rëndë me dashje".

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›