E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdes i dënuari në burg, dyshohet mbidozë

Burgjet: Presim rezultatet toksikologjike dhe autopsinë

RROGOZHINË- Një i dënuar në Burgun e Rrogozhinës është gjetur dje i vdekur në qelinë e tij në rrethana ende të pa sqaruara.


Drini Hajdaraj, i lindur në qytetin e Patosit, 50 vjeç i dënuar për trafik është gjetur i vdekur në qeli në orët e para të mëngjesit të djeshëm nga gardianët e burgut. Ndërkohë, lidhur me vdekjen e të dënuarit, autoritetet e burgut kanë thënë se Hajdaraj ka ndërruar jetë nga shkaqe natyrale.


Për të mësuar përfundimisht shkakun e vdekjes së të dënuarit do të pritet dhe ekspertiza mjeko -ligjore, e cila do të përcaktojë shkaqet e vdekjes së 50- vjeçarit nga qyteti i Patosit. Dyshimet e para janë hedhur për një vdekje të ardhur nga mbidoza, por kjo mbetet për t'u verifikuar në ditët në vazhdim, kur të kenë përfunduar të gjithë hetimet në lidhje me vdekjen e të dënuarit.


Ndërkaq, drejtues të administratës së Burgjeve kanë mohuar që i burgosuri të ketë ndërruar jetë nga ndonjë përdorim i lëndëve narkotike në ambientet e burgut, të Rrogozhinës, ndërsa pritet që kjo të sqarohet ditët në vazhdim. Gjatë vitit 2009, kanë gjetur vdekjen në burgjet e vendit edhe tre të dënuar të tjerë për probleme të ndryshme.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›