E Diel, 1 Nëntor 2026

Amnistia, fitimi i kompanive mos tatohet nëse riinvestohet



nertila maho

Nëse fitimet e realizuara të një kompanie riinvestohen, atëherë ato duhet të përjashtohen nga tatim fitimi, për një periudhë tre vjeçare. është ky varianti i ri që po diskutojnë ekspertët e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, si një shtojcë e propozimit që do t'i paraqitet Ministrisë së Financave, lidhur me amnistinë fiskale. Kryetari i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka tha për gazetën se analizat e ekspertëve në vend i referohen edhe eksperiencës së Moldavisë, e cila ishte e fundit që aplikoi amnistinë fiskale dhe sëbashku me të edhe përjashtimin nga tatim fitimi të fondeve që rrinvestohen. Jaka konfirmon se biznesi vazhdon të mbetet i interesuar për amnistinë dhe këtë interes e ka përcjellë përmes Dhomës te strukturat qeveritare kompetente dhe përgjegjëse për problematikën që lidhet me amnistinë fiskale dhe legalizimin e aseteve. Ai u shpreh se biznesi mbetet vigjilent ndaj angazhimin dhe mënyrës se si po trajtohet nga këto struktura kjo çështje tepër pikante për biznesin vendas, sidomos në ditët e sotme. "Nga ana tjetër duhet të merret në konsideratë fakti që në Shqipëri amnistia e plotë fiskale e shoqëruar me legalizimin e aseteve përbën një përvojë pothuajse të re e pa ndodhur më parë deri më sot. Nuk është realizuar asnjëherë një amnisti kaq komplekse, me një shtrirje kaq të gjerë, si dhe me efekte të konsiderueshme, jo vetëm mbi biznesin dhe buxhetin e shtetit, por duhet thënë mbi performancën e tërë ekonomisë kombëtare shqiptare", tha Jaka. Ai u shpreh kundër zvarritjes së amnistisë fiskale, e cila është jo vetëm në dëm të biznesit, por edhe të ekonomisë kombëtare në tërësi, qofshin pjesët e saj publike, qofshin ato jo publike. "Biznesi ynë, më shumë se kurrë sot ka nevojë për oksigjen, për frymëmarrje dhe energji të reja" thekson kryetari i Dhomës.
"PRO" AMNISTISë
çështja e amnistisë fiskale u bë muaj që diskutohet dhe ende nuk është dhënë varianti i saktë se si do të aplikohet ajo. Shpesh ekspertët në vend i janë referuar shembullit të Moldavisë, e cila ishte edhe e fundit që e aplikoi. Në këtë shtet, personat që legalizuan pasuritë e tyre ishin të detyruar të paguanin një gjobë për buxhetin e shtetit, prej 5 për qind të vlerës që ata kërkonin të legalizonin, një normë pothuajse e përdorur nga shumica e shteteve që kanë aplikuar legalizim të kapitalit. Numri i atyre që e kanë përkrahur zbatimin e një amnistie është i konsiderueshëm dhe ka qenë pikërisht biznesi, ai që mori iniciativën për të bërë një propozim të tillë. Ndërkohë që në deklarata të ndryshme "pro" janë shprehur edhe disa nga institucionet kyçe në vend. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, pak kohë më parë u shpreh se banka përshëndet çdo lëvizje në kahun e formalizimit të ekonomisë, të rregullimit të ekuilibrave dhe bilanceve të saj. Por gjithashtu theksoi se ky është një proces shumë kompleks, që kërkon përgatitje të mirë dhe njëkohësisht ndërgjegjësim të të gjithë agjentëve ekonomikë të vendit. Nga ana tjetër, edhe Ministri i Financave është shprehur pozitivisht për amnistinë fiskale duke e vlerësuar si të domosdoshme dhe në kohën e duhur.

Jo rritje pagës minimale, por indeksim

Diskutimeve për një rritje të mundshme të pagës minimale, biznesi nuk i përgjigjet pro. Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, tha për gazetën se vendosja e referencave te pagat ose rritja e dyshemesë e dëmton sektorin privat, por edhe strategjinë dhe iniciativat e tyre për të zhvilluar biznesin. Sipas Jakës, Dhoma e Tregtisë mbron interesat e biznesit dhe i mëshon me forcë jo vetëm referencave te pagat, por edhe referencave në çdo sektor, pasi në një mënyrë apo në një tjetër ato dëmtojnë interesat e iniciativës së biznesit. "Ne jemi kundër rritjes së pagës minimale. Ajo çka biznesi mund të pranojë është standardi që aplikon BE-ja, që është indeksimi i pagave, duke u bazuar tek inflacioni. Mund të ketë një rritje të pagës, duke qenë në koherencë me vlerën e deklaruar nga INSTAT", propozon Kreu i Dhomës së Tregtisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›