Spiropali: S’u ndjeva e uritur, të turpshme insinuatat për grevën
Elisa Spiropali, një nga grevistet e urisë, të cilën e detyruan mjekët të dalë prej çadrës, për shkak të përkeqësimit të shëndetit, tregon ditët e saj aty brenda. Ajo i cilëson të turpshme komentet e përfaqësuesve të maxhorancës për grevën e tyre, ndërsa shprehet se është inkurajuar në këtë sakrificë nga mesazhet e shumta që merrte nga qytetarët dhe mbështetësit.
Ju keni dalë e detyruar nga greva e urisë për çështje shëndetësore, por nuk ju kanë lejuar të riktheheni në të. Si e përjetoni tani realitetin politik, kur kolegë tuaj qëndrojnë ende në grevë urie dhe ende nuk ka një rrugëdalje nga kriza politike?
Unë nuk pata nja dhjetë "çështje shëndetësore" që më detyruan të dal nga greva e urisë, por vetëm një; trupi im u dobësua dhe u dehidratua, në atë masë, saqë jo unë, por mjekët e konsideruan tepër të rrezikshëm qëndrimin tim të mëtejshëm. Madje, guxoj ta them, unë brenda grevës së urisë as nuk u ndjeva e uritur. Mund të duket i habitshëm ky pohim, por ja që ashtu ndodhi. Se unë në grevë nuk hyra as të haja as të mos haja, por të fitoja. Nga ana tjetër, ata që qëndrojnë ende në grevë nuk janë kolegët dhe koleget e mia, por bashkëluftëtarët e mi për të drejtën më elementare në një sistem demokratik, atë të drejtë që tashmë gjithkush e di cila është dhe nuk po zgjatem. E drejta për transparencë në demokraci është si e drejta për të marrë frymë. Rrugëdalje nga kriza ka, dhe ne e kemi shpallur, por problemi është se ajo rrugë nuk është nga ato që inauguron përditë marifetçiu i madh i gjërave të vogla, Kryeministri Sali Berisha, por një rrugë tjetër, për atë, e minuar, për ne dhe të gjithë liridashësit shqiptarë, e asfaltuar. Le ta zërë kokën mes grushteve Kryeministri ynë dhe ta inaugurojë atë rrugë. Do marrim pjesë të gjithë në atë inaugurim. Shiritin le ta presë ndonjëri nga ata rezistues të mëdhenj, që ende janë në grevën e urisë. Do t'i ketë mbetur aq fuqi!
Sa ndryshon atmosfera dhe fryma e solidaritetit mes çadrës së grevës dhe ambientit jashtë, ku në fakt nuk kanë munguar mitingjet e protestave?
Pothuajse nuk ekziston ai ndryshim. Nuk i ndaj dot këto dy "atmosfera", këto dy "frymëra". Sepse këmbejnë vendet me njëra-tjetrën. Janë, si të thuash, në garë me njëra-tjetrën, në një unitet dhe unanimitet të pa ndodhur kurrë më parë. I vetmi ndryshim është se ata brenda janë të pangrënë, ndërsa ata jashtë jo. është një ndryshim që për hir të arritjes së qëllimit, heroikisht, pothuaj nuk po vihet re nga ata brenda.
Nga përfaqësues të maxhorancës greva e urisë është parë me një sy skeptik, madje edhe me insinuata, sipas të cilave është e pamundur të rezistosh 15 ditë pa ushqim. Cili është komenti juaj për këto komente?
E vërteta është që insinuatat dhe manipulimet e panumërta mediatike me urinë tonë nga ana e maxhorancës barkplotë është një turp aq i madh sa nuk matet, sa nuk po di si t'i vë ndonjë emër, jo për ndonjë gjë tjetër, por për t'iu hequr kuriozitetin juve që po më pyesni, dhe atyre që kujtojnë se dashuria për lirinë matet me ditë urie apo me sasinë e ushqimit që ndodhet brenda stomakut.
Cilat ishin mesazhet më të veçanta që ju merrnit gjatë kohës që qëndruat në çadrën e grevës së urisë?
Mes qindra mesazheve tejet inkurajuese po veçoj një SMS që ishte pak a shumë kështu; "Ju nuk jeni aty për t'u tkurrur, errur, vdekur, por për t'u ngritur, ndritur, ngjallur!"
Në gjithë këtë aksion opozitar, duket se forumi rinor socialist, nuk ka qenë në atë rol që ka luajtur vazhdimisht edhe për shkak të mosorganizimit të plotë tij. Ju si drejtuese e FRESSH, nisur dhe nga kjo sprovë për këtë forum, si mendoni se do ta ringrini atë për ta risjellë atë në kohët e arta të tij, kur shumë herë ai qëndronte edhe më lart se vetë PS nga ana e aksionit dhe veprimtarisë?
FRESSH nuk është një organizatë ilegale debatikase, por Forumi Rinor i Partisë më të madhe në vend. çdo përpjekje dhe betejë e Partisë Socialiste është edhe përpjekje dhe betejë e FRESSH. Të rinjtë e FRESSH janë kudo; në njësi, universitete, tubime, protesta dhe brenda në grevë urie. Kjo frymë sigurisht vetëm do rritet, për të rritur përfaqësimin e të rinjve, hapësirën dhe protestën e tyre ndaj fyerjes së dinjitetit dhe poshtërimit të shqiptarëve, që bëhet përmes mohimit të të drejtave elementare. a.l