Rikthehen tre “muskutjerët” e humorit shqiptar “The Shbëlsh”
Formati i ri televiziv “Apartamenti 2XL” rikthen në skenë tre “muskutjerët” e humorit shqiptar “The Shbëlsh”. Pas një shkëputjeje paksa të gjatë nga episodet e humorit që i përcillnin publikut çdo të diel, rikthehen përsëri në një program premierë dhe në të njëjtën shtëpi Gentian Zenelaj, Ermal Mamaqi dhe Julian Deda. “Apartamenti 2XL” është një program i ri, unik në llojin e vet, që është prezantuar nga Tring Digital dhe Vizion Plus për herë të parë për publikun shqiptar. Një format televiziv ku aktorët nuk kanë scripte apo një skenar të parashkruar, e vetmja gjë që ata njohin mirë është pikënisja e historisë dhe gjithçka vjen më pas është improvizim nga ana e tyre. Batuta spontane, të qeshura pa fund dhe rikthim i tre aktorëve të veçantë të humorit shqiptar. Këtë risi ka sjellë formati i ri televiziv i prezantuar nga Tring Digital dhe Vizion Plus. Një sukses ky i garantuar, i përcjellë përmes humorit e batutës, brenda një formati unik e të paprovuar më parë në një media televizive. “Apartamenti 2XL”, është një program premierë që ngjiti në të njëjtën skenë Gentian Zenelajn, Ermal Mamaqin, Julian Dedën dhe aktoren e re Lisa Kujovska. Ky format i ri në mediat shqiptare erdhi si ide e Turian Hyskës. I ndërtuar pa skenar, bazuar tërësisht mbi improvizimit e aktorëve, ku pikënisja e batutave lind nga zëri i moderatorit. Gjithë spektakli i humorit është i përqendruar në një sallë teatri, e përshtatur dhe arreduar me një sallon shtëpie. Në skenë janë dy aktorë kryesorë, të cilët janë të pandryshueshëm, një aktor tjetër që hyn herë pas here dhe një moderator që qëndron jashtë skenës. Për çdo ngjarje aktorët janë të pajisur me kufje në të cilat u thuhen gjithë sugjerimet nga moderatori dhe nga të ftuarit e tjerë VIP. Aktorët gjithashtu nuk dinë asgjë lidhur me sugjerimet që jepen për kolegun e vet. Publikut në sallë sugjerimet u shfaqen në një ekran të madh ndërkohë që për teleshikuesit ato do të shfaqen me titra. Në shumë episode parashikohet edhe pjesëmarrja e një të ftuari surprizë që hyn papritur në skene dhe që bashkëvepron me autorët (i udhëhequr edhe ai nga zëri i suflerit përmes kufjeve). Ky program është i ndërtuar mbi një skenar jo të kufizuar që e bën të larmishëm dhe lehtësisht të ndryshueshëm për të futur sa më shumë elemente humori. Çdo episod do të ketë një kohëzgjatje rreth 90 minuta dhe asnjë nga episodet nuk ka lidhje me njëri-tjetrin. Vetëm subjekti kryesor, nga ku frymëzohen ngjarjet, mbetet e pandryshuar. (Njëri nga autorët shkon të banojë në shtëpinë e tjetrit dhe nga ky moment të dy janë të detyruar të ndajnë apartamentin së bashku). Zbërthimi i subjektit në episode të veçanta i besohet çdo herë një moderatori që ka për detyrë të udhëzojë veprimet e aktorëve në skenë. Ai është i ulur diku në mes të publikut, i ndalohet vetëm të shpjegojë për protagonistët në fillim të episodit, ndërkohë që lejohet për të komunikuar më pas me ta ekskluzivisht përmes kufjeve, duke i furnizuar me sugjerime të çuditshme dhe fantastike, të cilat protagonistët duhet t’i ndjekin në mënyrë absolute. Një e veçantë e këtij formati është pasi në pjesën më të madhe të episodeve merr pjesë një tjetër personazh i famshëm, i ashtuquajturi personazhi surprizë, që padijeninë e kastës së aktorëve shfaqet papritur në skenë e bashkëbisedon me aktorët e tjerë. Mes tyre mund të ketë sportistë, humoristë, showgirl e shumë të tjerë. Puntatën e parë, "Apartamentin 2XL" e vizituan edhe dy miq të aktorëve, Rozana Radi dhe Ervin Bejleri, të cilët gjithashtu u bënë pjesë e lojës së udhëhequr nga moderatori.
Julian Deda
Çfarë simbolizon për ju rikthimi i “The Shbëlsh”?
Do të mundohemi të sjellim për publikun një format të ri që nuk është praktikuar deri sot në Shqipëri, dhe jemi zgjedhur pikërisht ne të tre për ta bërë, sepse mendoj se jemi të përshtatshëm për formatin televiziv. Arsyeja kryesore është pasi ne merremi vesh shumë mirë me njëri-tjetrin, improvizojmë shumë mirë dhe kjo vjen si rezultat i një tresheje të kombinuar nga një eksperiencë që ne kemi bashkë dhe shumë gjëra të tjera. Sigurisht ne do jemi; Juli, Genti, Ermali në rrethana të ndryshme dhe është dikush që do të na vërë në provë, duke na provuar nëpërmjet kufjeve. Se sa të zotë do të jemi ne për ta zgjidhur situatën e momentit, nuk e di, kjo varet nga situata.
Puntata e parë pati sukses dhe u mirëprit nga publiku, sa do të zgjasë ky format?
Ky do të jetë një sezon i plotë, do të jenë plot 13 puntata dhe një sezon i plotë, i cili shkon deri nga fundi i marsit. Sigurisht që do të vazhdojë, por do të jetë me sezone të shkëputura pasi duhet të bëhet dhe ndonjë pushim në mes, pauza të akumuluara nga regjia.
Ermal Mamaqi
Formula e Apartamentit 2XL është vështirë për t’u kuptuar që në herën e parë, domethënë nuk mund të kuptohet lehtë nga njerëzit që janë mësuar me humor të drejtpërdrejtë. Është një humor modern, i cili kërkon edhe pak durim nga publiku dhe nga njerëzit që e shohin, sepse kur e kupton pastaj thjesht ti bëhesh më i rafinuar. Me këtë format që kemi ndërtuar, jemi munduar edhe të edukojmë njerëzit duke bërë që të kuptojnë edhe humoret e vendeve të tjera, të cilat janë më të zhvilluara sesa ne.
Çfarë sjell për publikun formati i Apartamentit 2XL?
Të them të drejtën jemi munduar që mos ta filozofojmë kaq shumë, më mirë sesa ta prishim fare, pasi kështu ndodh shpeshherë; kur filozofohen gjërat më shumë se ç’duhet, humbin natyralitetin. Në fund të fundit ne bëjmë thjesht humor dhe nuk i kemi bërë më pyetje; pse? ku? si? Janë tre njerëz që marrin komandat dhe gjithçka bazohet në talentin dhe në aftësinë e aktorëve dhe në improvizimin që na urdhrëron regjisori.
Rikthimi i “The Shbëlsh” në skenë pati një sukses natën e parë të këtij formati. Si lindi bashkëpunimi mes jush?
Me thënë të drejtën unë kisha një kohë të gjatë që më mungonte kjo lidhje midis ne të treve. Besoj se dhe publiku e ka pritur këtë, kështu që për suksesin që kemi, si të thuash, na bashkon një ide që kjo treshe funksionon. Fakti që u bashkuam bashkë do të thotë që ky sukses donte vetëm një vend ku të interpretonte, sepse treshja është e konfirmuar për raportin që ka, për formulën e funksionimit.
Si përzgjidhen personazhet që keni të ftuar?
Formula është e tillë. Personazhet përzgjidhen për shkak të situatës dhe karizmës që ka, përzgjidhen për shkak të suksesit që kanë. Por kjo nuk është e thënë që humor bëjnë vetëm The Shbëlshat, humor bën edhe Presidenti i Republikës. Është një format shumë i hapur ku njerëzit mund të flasin, të pinë kafe dhe të diskutojnë në situata të ndryshme, pastaj lind dhe humori.
Gentian Zenelaj
“Apartamenti 2XL” është një apartament i madh, është një apartament i gjerë në kuptimin simbolik të fjalës, ku do të rrihen ide, ku do të ketë humor, ku do të ketë ironi, ku do të ketë debate. Unë, Juli dhe Ermali jetojmë në një pallat, por njerëzit tani po shikojnë se si po jetojmë të tre në një apartament. Kemi një bashkëpunëtore shumë të mirë, siç është Lisa Kujovska, që është një vajzë shumë e talentuar dhe ka plotësuar elementin femër në këtë show që është shumë i nevojshëm, dhe duke përdorur imagjinatën ne pothuajse jemi si tre fëmijë të vegjël, të cilët kanë parkun e lojërave dhe po luajnë. Nëpërmjet imagjinatës dhe sugjerimeve që ka Turi bashkë me regjisorin dhe Genc Fugën, ne lëvizim nga situata në situatë dhe në çdo vend; mund të shkojmë në Brazil, mund të shkojmë me pushime në Siberi etj. Të gjitha pra luhen në bazë të improvizimit tonë. Është për t’u theksuar pasi improvizimi është pjesa kyçe e këtij spektakli. Pra publiku shijon se si vjen komanda në vesh të aktorit dhe me mjetet rrethanore, me rrobat që ka, të sajojë Afrikën, të sajojë një kopsht fëmijësh; me pak fjalë, kjo është e bukura gati si të luajmë shtëpiash. Nuk mund të lë pa përmendur edhe njerëzit që kanë ndihmuar shumë në realizimin e këtij spektakli, si Turian Hyskaj, i cili është personi që e mblodhi këtë staf, gjithashtu falënderoj edhe Lisa Kujovskën, e cila me sharmin e saj, me talentin e saj, sjell një situatë të këndshme. Megi Odën, e cila është vajza që bën të gjitha përkthimet dhe e ka shumë të vështirë duke zbardhur gjithçka në letër. Genc Fuga, i cili është regjisori skenik dhe stafin e Vizion Plusit pasi ka bërë një punë fantastike.
Si lindi ideja për bashkëpunimin me Vizion Plusin?
Ka qenë Turi që na kontaktoi për të ndërtuar një spektakël të ri, të ri në të gjitha kuptimet, pasi shqiptarët janë mësuar të shikojnë The Shbëlshat me kostume, me veshje, grim dhe personazhe të shumta që kanë bërë. Ishte një ide për t’i nxjerrë The Shbëlshat krejtësisht në një format të ri, më tepër në një format që është i suksesshëm në shumë shtete të botës. Nuk është se e prodhuam ne këtë format dhe se ka vend tjetër, këtë format e kanë edhe shumë shtete të tjera, si Gjermania, Italia dhe Franca. Rreth këtij formati u bisedua gjatë pasi është një formulë shumë e vështirë, sepse është edhe teatër, por edhe nuk është teatër. Ky format është më shumë (hi tech) si spektakël. Ke kufjet çdo moment që janë shumë të bezdisshme, por që duhet ta marrësh me të lehtë, në anën tjetër publiku krijon një sekret nëpërmjet aktorit sepse e lexon me titra atë çfarë u sugjerohet. U hodh ideja dhe është punuar shumë gjatë rreth dy muaj pa pushim për ta bërë për të fluturuar këtë avion, këtë spektakël me orë të zgjatura, sepse normalisht u bë me forcat tona. Erdhën shumë skenaristë pasi iu është dukur pak e çuditshme si format pasi në Shqipëri publiku shqiptar është mësuar me humor rreth 7-8 minuta dhe të dalim nga skena. Dhe sa të bindeshin njerëzit se si funksiononte formula, gjë që doli me sukses sepse dhe spektatori dha rezultatin e vet që në puntatën e parë dhe e shijoi shumë. Mendoj se kemi bërë një punë të mirë. Vështirësia është pasi 13 javë rresht në situata të ndryshme dhe rrethana të ndryshme jo më kot ka marrë emrin Apartamenti 2XL, sepse është një apartament që shkon kudo dhe i përfshin të gjithë. Do të ketë artistë, do të ketë politikanë, do të ketë sportistë, njerëz që vijnë, njerëz të çuditshëm, të cilët janë miq, kanë ardhur për një qokë, siç thuhet në gjuhën popullore, te ky apartament dhe performojnë si aktorë në rrethana të ndryshme.
Çfarë sjell për Gentian Zenelajn rikthimi i The Shbëlshave?
Rikthimi i tyre në skenën shqiptare sjell plotësimin magjik të formulës. Unë këtë bashkim e kam përjetuar shumë mirë. Me Ermalin shpeshherë kemi shkëmbyer mesazhe; sikur të ktheheshim, apo më ka marrë malli etj. Siç duket u bë shkak Vizion Plusi dhe ky spektakël që ne tamam të bashkoheshim prapë. Është për t’u habitur pasi u bashkuam në një marrëdhënie shumë më të mira nga ç’kemi pasur më përpara. Siç duket kjo ka ardhur për shkak të një mungese që kemi pasur nga njëri-tjetri dhe një mall për ne; u vu re që në provat e para që u risistemuan gjërat menjëherë, pasi kishim gjashtë vjet që punonim me njëri-tjetrin. Kishim gjuhën e përbashkët të të punuarit dhe kështu që dha rezultat që në puntatën e parë dhe u ndërtua shumë shpejt. Gjatë provave mungesën e Ermalit e ndjemë goxha dhe po na mundonte, por, pasi erdhi ai, erdhi edhe situata, erdhi edhe humori dhe dëshira për ta bërë. E rëndësishme është që të kesh një dëshirë të mirë për ta bërë një spektakël.
Kujt i dedikohet ideja për ribashkimin e The Shbëlshave?
Ideja ka qenë e të treve; Ermali madje është bërë iniciator pasi ai shprehu dëshirën për të ndërtuar diçka bashkë. Jam shumë i sigurt që më dëshirën që kishte Ermali mbase nuk do të ishte ky spektakël, por do të ishte diçka tjetër. Pra, me pak fjalë, The Shbëlshat do të ribashkoheshin në një formë apo në një tjetër. Më erdhi mirë që iu shfaqëm publikut me një formulë krejtësisht të re, një formulë kjo komplet e re për tregun shqiptar. Nuk e themi për mburrje, por deri tani kemi marrë shumë fjalë të mira.
Sa do të zgjasë “Apartamenti 2XL”?
Do të zgjasë me cikle sezonesh. Në fillim do të jenë 13 puntata dhe me siguri do të rikthehemi në fund të shtatorit me 13 puntata të tjera, një cikël normal pune. Pastaj do të ketë surpriza, nuk i dihet se ku do të lëvizë formula.
9 Janar 2010