Mashtronte se do t’u nxirrte viza për në SHBA, arrestohet 52-vjeçarja
Tiranë – Një 52 vjeçare është arrestuar nga policia pasi dyshohet se ka mashtruar disa qytetarë duke iu premtuar punë në Ambasadën Amerikane në Tiranë, apo viza për emigracion në SHBA. Burime të sigurta thanë për gazetën se Policia e Tiranës ka ndërmarrë një tjetër operacion blic të koduar “Rruga e Elbasanit” duke arrestuar Hanëme Shandori, 52 - vjeç, lindur e banuese në Tiranë.
Dyshohet se kjo shtetase, ka mashtruar qytetarë të ndryshëm, duke u prezantuar si punonjëse pranë Ambasadës Amerikane në Tiranë, dhe u premtonte shtetasve të ndryshëm se do t’i punësonte pranë kësaj ambasade. Krahas këtyre mashtrimeve, bazuar në kallëzimet e marra nga të dëmtuarit, e sipërpërmendura u premtonte edhe nxjerrjen e marrjen e vizave në ambasadën Amerikane, kundrejt përfitimit të shumave të konsiderueshme parash. Po ashtu, dyshohet se Shandori, fillimisht u kërkonte si garanci, shumën e parave prej 160 000 lekësh për person, duke u premtuar lehtësimin e procedurave për marrjen e kredive bankare, pranë bankës Amerikane në Tiranë. Ndërsa në ngarkim të saj, kanë deponuar kallëzim penal, pranë strukturave të seksionit Kundër Pastrimit të Parave dhe Krimit Ekonomiko - Financiar, 19 qytetarë të dëmtuar prej saj. Gjatë një kontrolli të imtësishëm të ushtruar në ambientet e banesës së saj, ju gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale praktikat e rreth 23 qytetarë të ndryshëm, (dokumentacion të cilin e paraqisnin pranë saj), me synim, punësimin apo për t’u nxjerrë vizë në drejtim të SHBA-ve.
Materialet i kaluan për kompetencë organit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësorë Tiranë, duke e akuzuar për veprën penale të “Mashtrimit më shumë se njëherë”. Aktualisht vazhdon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale apo të personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal.
21 Gusht 2008