E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ushtarë me pagesë, kriteret e reja për rekrutimin e tyre



Laureta Rryçi

Për ushtarët me pagesë, këtë vit, po aplikohen kritere të reja nga Ministria e Mbrojtjes. Burime pranë kësaj ministrie shpjeguan se tashmë ka nisur rekrutimi i ushtarëve me pagesë, që do të shërbejnë në funksion të Ushtrisë në Republikën e Shqipërisë. Pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, Ministria e Mbrojtjes dhe Qendra e Rekrutim- Mobilizimit në Tiranë ka filluar mbledhjen e këtyre ushtarëve, duke përhapur njoftime për ftesë të të gjithë të interesuarve. Gjithçka po realizohet në zbatim të Ligjit, Nr. 9171, datë 22.1. 2004 “Për gradat dhe karrierën ushtarake në Republikën e Shqipërisë”, udhëzim i Ministrisë së Mbrojtjes Nr. 2, datë 12.2.2008, për përgjegjësitë, procedurat dhe mënyrat e rekrutimit të ushtarëve profesionistë në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Për t’u bërë pjesë e ushtrisë janë përcaktuar disa kategori dhe kritere që do të përzgjedhin kandidatët. Disa nga kriteret për pranimin e kandidatëve janë mosha, arsimi dhe aftësitë. Në këtë përfshirje nuk përjashtohen femrat ushtare, përveç meshkujve.
Kriteret
Kriteret e përcaktuara nga Ministria e Mbrojtjes do të jenë bazë në pranimin e ushtarëve që do të pozicionohen në forcat e ushtrisë në profile të ndryshme. Kështu, do të pranohen ushtarë të gjithë shtetasit e moshës 19 deri në 30 vjeç, që janë të aftë për t’u bërë pjesë e ushtrisë. Të gjithë kandidatët duhet të kenë minimalisht arsimin e mesëm dhe detyrimisht ata që kanë arsimin e lartë dhe kanë dëshirë të rekrutohen ushtarë profesionistë me pagesë për të shërbyer në njësitë e repartet prioritare të FA të RSH-së. Kandidatët duhet të paraqiten në Qendrën e Rekrutimin- Mobilizimit në Tiranë, për të bërë aplikimin dhe më pas përzgjedhjen e tyre.
Pagesa
Të përzgjedhurit do të kenë pagë minimale shumën e 35 mijë lekëve, për meshkujt dhe femrat e rekrutuara ushtare. Më pas rritja e pagës presupozohet sipas gradave të fituara gjatë qëndrimit në detyrë. Kështu që, kushdo që rekrutohet ushtar profesionist, siguron punësim e pagesë relativisht të krahasueshme me sektorë të tjerë të jetës civile, motivim për kryerjen e detyrës, Njëkohësisht, siguron mundësi kualifikimi brenda dhe jashtë vendit, mësim të gjuhës angleze, si dhe pjesëmarrje në misione paqeruajtëse brenda dhe jashtë vendit. Pjesëmarrja në ushtrinë profesioniste siguron aftësim në profesione të ndryshme.
Vendet
Pozicionet e punësimit që do të vendosen këto forca janë në pozicionet më të rëndësishme të ushtrisë shqiptare, ku deri sot janë mbuluar nga profesionistë me kualifikime dhe shkollim përkatës. Sipas njoftimit të nxjerrë nga Qendra e Rekrutim- Mobilizimit, punësimi i shtetasve kërkohet në Brigadën e Reagimit të shpejtë në Zall- Herr, Brigadën e Mbrojtjes Rajonale Tiranë, në Policinë Ushtarake Sauk, Komanda Mbështetëse Tiranë, Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes Tiranë, Brigada e Logjistikës Tiranë, si dhe në Brigadën e Xhenios Tiranë. Të gjitha këto hapësira apo pozicione do të jenë të hapura për rekrutët, të cilët do të profilizohen sipas nevojave të Ushtrisë në RSH.

Strategjia për Forcat e Armatosura

Në vitin 2010 ushtria do të jetë ushtri profesioniste. Për dy vite me radhët pritet që numri i ushtarëve profesionistë të shkojë mbi 5000 mijë persona. Burime pranë Ministrisë së Mbrojtjes shprehen se është përgatitur një draft që përmban me detaje pagesat e reja për të gjithë ushtarakët që janë aktualisht brenda radhëve të Ushtrisë Shqiptare. Në të njëjtën kohë mësojmë se drafti parashikon dhe ndryshimet financiare për ushtarakët sipas gradës apo titullit që ata mbajnë. Të njëjtat burime nga kjo ministri shpjeguan se për të arritur këtë numër të ushtarëve profesionistë, përzgjedhja do të nisë që këtë vit dhe do të realizohet në tri faza. Vetëm për këtë vit është parashikuar të merren gjithsej 1500 ushtarë profesionistë që do t’i shtohen radhëve të ushtrisë.

Ku do të punësohen

Sipas njoftimit të nxjerrë nga Qendra e Rekrutim Mobilizimit:

1- Punësimi i shtetasve kërkohet në Brigadën e Reagimit të shpejtë në Zall-Herr
2- Brigadën e Mbrojtjes Rajonale Tiranë
3- Në Policinë Ushtarake Sauk
4- Komanda Mbështetëse Tiranë
5- Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes Tiranë
5- Brigada e Logjistikës Tiranë
6- Në Brigadën e Xhenios Tiranë

Kriteret

1- Do të pranohen ushtarë të gjithë shtetasit e moshës 19 deri në 30 vjeç, që janë të aftë për t’u bërë pjesë e ushtrisë
2- Të gjithë kandidatët duhet të kenë minimalisht arsimin e mesëm dhe detyrimisht ata që kanë arsimin e lartë dhe kanë dëshirë të rekrutohen ushtarë profesionistë me pagesë për të shërbyer në njësitë e repartet prioritare të FA të RSH-së
3- Kandidatët duhet të paraqiten në Qendrën e Rekrutimin Mobilizimit në Tiranë, për të bërë aplikimin dhe më pas përzgjedhjen e tyre.
4- Paga e ushtarëve të Rekrutuar
35 mijë lekë
19-30 mosha

21 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›