Pranga 40-vjeçarit iu gjetën në shtëpi 2,3 kg Cannabis
Tiranë – Kishin kohë që e mbanin në vëzhgim, por vetëm dy ditë më parë kanë mundur ta vënë në pranga 40-vjeçrain që mbante në shtëpinë e tij plot 2,3 kg Cannabis sattiva gati për ta tregtuar. Burime policore thanë për gazetën se Seksioni Kundër Drogës, bazuar në grumbullimin e saktë të informacioneve të poseduara realizoi sekuestrimin e një sasie prej 2 kg e 321 gram lëndë narkotike e dyshuar Cannabis sattiva si dhe arrestimin në flagrancë të një shtetasi. Uniformat blu arritën të identifikojnë dhe të lokalizojnë vendndodhjen e Lime Harizit, 40 - vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Tiranë. Kapja e të dyshuarit, u realizua gjatë orëve të pasdites së dy ditëve më parë në rrugën “Aleksandër Moisiu” në Tiranë. Pas një hetimi disa javor me metodat speciale të hetimit u arrit kapja në flagrancë e tij, pasi nga një kontroll personal iu gjet lënda e dyshuar Cannabis sattiva e cila ishte e ndarë në 10 (copë) qese farmacie. Krahas sasisë së sekuestruar, atij ju gjendën edhe 40 (copë) qese me lëndë e llojit Cannabis sattiva, e cila ju sekuestrua pas një kontrolli të befasishëm të ushtruar në ambientet e banesës së tij, të cilat ishin të fshehura në një çantë, nga ku dyshohet se ishin të përgatitura për shitje. Materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tij, i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”.
21 Gusht 2008