Shërbimet sociale, BB 5 mln $ kredi Shqipërisë
TIRANE- Shqipëria dhe Banka Botërore nënshkruan marrëveshjen e kredisë për huanë shtesë të Projektit të Shpërndarjes së Shërbimeve Sociale prej 5 milionë dollarësh. Në emër të qeverisë shqiptare marrëveshja u nënshkrua nga Ministri i Financave Ridvan Bode dhe në emër të Bankës Botërore nga Perfaqësuesja e Përhershme e Bankës në Shqipëri Camille Nuamah.
Ceremonia u zhvillua në Ministrinë e Financave në praninë edhe të zyrtarëve të tjerë të lartë si edhe të ekipit që përgatiti projektin. Ky Projekt u aprovua nga Bordi Ekzekutiv i Drejtorëve më 17 mars 2009.
Financimi synon rritjen e eficiencës dhe efektivitetit të sistemit të pensioneve në Shqipëri përmes përmirësimit të administratës së këtij sistemi, forcimit të kapaciteteve institucionale që përfshijnë rritjen e kapaciteteve për zhvillimin e politikave të pensioneve si dhe përmirësimin e të kuptuarit të sistemit të pensioneve nga ana e publikut të gjerë.
“Aktivitetet që do të mbulojë ky financim,- tha Camille Nuamah, Përfaqësuesja e Përhershme e Bankës Botërore në Shqipëri, -do të mbështesin reformën administrative të sistemit të pensioneve, ngritjen e Arkivës qendrore të kontriubuesve dhe përfituesve, krijimin e kapaciteteve për politikat e zhvillimit të pensioneve si dhe edukimin publik mbi sistemin e pensioneve.”
Nga ana e tij Ministri i Financave Ridvan Bode falënderoi Bankën Botërore, për asistencën që i ka ofruar sektorit të shërbimeve sociale në Shqipëri dhe në mënyrë të vecantë Institutit të Sigurimeve Shëndetësore, si dhe për modernizimin e administratës së sistemit të pensioneve.
Projekti filloi të zbatohet në Janar 2002 duke pasur si objektiv kryesor përmirësimin e standardeve të jetesës së të varfërve dhe grupeve vulnerabël të popullsisë në Shqipëri.
Kredia fillestare ka mbështetur deri më sot shërbime në 43 qendra ditore të përkujdesjes sociale duke ofruar shërbime dhe politika të standardeve të reja për më shumë se 25.000 përfitues nga grupet më të varfra të popullsisë. Gjithashtu është mbështetur përmirësimi i shërbimeve në 13 qendra rezidenciale të përkujdesjes sociale. Po kështu, kredia ka ndihmuar në krijimin e një kuadri ligjor dhe strategjik në fushën e përkujdesjes sociale si dhe ka forcuar kapacitetet në nivelet e pushtetit qendror dhe atij lokal.
Shqipëria u bë anëtare e Bankës Botërore në vitin 1991. Deri më sot Banka Botërore ka kontribuar rreth 1.4 milardë dollarë për 68 projekte zhvillimore.
(s.g/BalkanWeb)