Stramaccioni, më mirë se Mourinho

Andrea Stramaccioni mori drejtimin e Interit në mars të këtij viti, kur zëvendësoi Claudio Ranierin. Ai shpëtoi atë që mund të shpëtohej në fazën përfundimtare të edicionit të shkuar. Në realitet angazhimi i tij ishte bërë në bazë të përkohshme, fillimisht deri në fund të atij sezoni.
Por, puna e Stramaccionit u pëlqye nga presidenti i klubit, Massimo Moratti, i cili e konfirmoi atë në detyrë. Dalë ngadalë Stramaccioni ka filluar të krijojë një skuadër e cila së paku nëse llogaritim ndeshjet e fundit, është në seri më të mirë se ‘Interi i madh i Jose Mourinhos’.
“Nuk festojmë, por jemi të kënaqur që kemi gjetur rrugën e duhur në nivelin e lojës dhe rezultateve”, deklaroi Moratti pas fitores 1-0 ndaj Partizanit të Beogradit të enjten në kuadër të xhiros së tretë të fazës së grupeve në Europa League.
Kjo ishte fitorja e shtatë e Nerazzurrëve në të gjitha garat këtë stinor, bilanc më i mirë se Interi i Mourinhos, që u ndal në pesë. Stramaccioni pa dyshim se me kënaqësi do të shkëmbente këtë seri pozitive me titujt e fituar nga Mourinho në Giuseppe Meazza.
Por, portugezi kishte marrë skuadrën pas viteve dhe sukseseve të arritura nga paraardhësi Roberto Mancini, i cili shkoi në Angli ku triumfoi edhe me Manchester Cityn. Mancini është një prej dy trajnerëve që kanë krijuar seri pozitive më të mirë se Stramaccioni, duke shënuar njëmbëdhjetë fitore të njëpasnjëshme më 2006-07 dhe 13 në edicion pasues, por të gjitha këto në periudhën Calciopoli.
Kurse Ranieri kishte shënuar seri prej tetë fitoreve të njëpasnjëshme mes dhjetorit 2011 dhe janarit 2012, para se Moratti të përcaktohej për ndryshim në stafin teknik. Tani objektiv i ri i Stramaccionit është fitorja e radhës kundër Bolognës të dielën, që do të ishte e teta me radhë në të gjitha garat dhe do t’i afrohej të nëntës me radhë në udhëtim, të shënuar edhe nga Mancini më 2007-08.
Tifozët e Interit urojnë që nga Dall’Ara skuadra të fitojë tri pikë të reja për të ndjekur më pas fitoren e nëntë me radhë, para udhëtimit në Torino, ku i pret kampioni në fuqi, rivali Juventus.