E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet me heroinë i biri i Mandelës

03/02/2010  I skeduar nga policia si shpërndarës
ELBASAN-Arrestohet i biri i kreut të bandës së famshme të ‘97-s, shpërndante drogë në qytet. Nelson Eduart Peqini është arrestuar rreth orës 22.00 në një lokal në lagjen “Emin Matraxhiu” të qytetit të Elbasanit. Pasi i është ushtruar kontroll trupor, 20-vjeçarit i janë gjetur 7 doza heroine të paketuara me letër varaku gati për shitje. I biri i Mandelës survejohej prej kohësh nga policia, pasi kishte informacione për aktivitetin e tij në shpërndarjen e drogës. Në një komunikim zyrtar Drejtoria e Policisë Elbasan bën të ditur se si rezultat i një pune të mirëfilltë investigative, operative, nëpërmjet metodave speciale të hetimit, si dhe mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative nga Seksioni Luftës Kundër Narkotikeve është finalizuar me sukses operacioni “Bardh e Zi” duke sjellë arrestin e 20-vjeçarit Nelson Eduard Peqini lindur e banues në lagjen “Beqir Dardha” të qytetit të Elbasanit. Gjatë kontrollit fizik i janë sekuestruar 7 tableta me pluhur ngjyrë të kuqërremë me peshë 3 gramë, të cilat dyshohet se janë heroinë. I riu nuk ka kundërshtuar në momentin që agjentët kanë hyrë në lokal. Ai do të përgjigjet për veprën penale shpërndarje të lëndëve narkotike. I riu me ngjyrë ishte vënë në shënjestër të agjentëve të Antidrogës, të cilët duke qenë edhe djali i ish-kapobandës së ‘97-s kishin vënë re lëvizje të dyshimta dhe e ndiqnin të riun. Kryesisht Peqini përdorte lokalet për shpërndarje droge dhe sidomos në zonat rome periferike. Eduart Peqini, Mandela i Elbasanit, u ekstradua një vit më parë dhe është i dënuar me burgim të përjetshëm nga drejtësia shqiptare. Ai i kishte vendosur emrin Nelson të birit, i frymëzuar nga luftëtari i madh i Afrikës Nelson Mandela, ndërsa u mbiquajt vetë Mandela, emër të cilin e mori edhe banda më famëkeqe e 13 viteve më parë. Katër vëllezërit me ngjyrë akuzohen për shumë vepra penale dhe mbi ta rëndojnë dënime maksimale.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›