E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tenton të vrasë me pistoletë bashkëqytetarin, arrestohet

03/02/2010  Zënka për radhën tek dyqani i celularëve, policia ndalon krimin
FIER- Një vrasje është parandaluar ne qytetin e Fierit mesditën e së martës. Sipas policisë, në lagjen “Apolonia” në qendër të qytetit të Fierit, dy persona janë konfliktuar pas një debati fjalësh në një dyqan celularësh. Ndërkohë burimet konfirmojnë se shtetasi Aurel C., 22 vjeç, ka tentuar të vrasë me armë zjarri një tjetër shtetas, atë me iniciale A. H. Të dy këta persona mësohet të jenë grindur për motive tepër banale, të cilësuara këto si të tilla, nga policia. Ende nuk ka një konfirmim zyrtar nga blutë për shkakun e vërtetë të kësaj ngjarjeje që për pak sa nuk përfundoi me humbjen e një jete, por burime nga banorë të lagjes, bëjnë me dije se dy shtetasit kanë debatuar vetëm për një celular. Të dy kanë kërkuar të blejnë pa radhë në dyqan dhe këtu ka nisur debati, i cili kaloi në fyerje dhe më pas 22-vjeçari ka shkuar pak metra më tutje ku mësohet se ka pasur edhe makinën e vet. Që aty 22-vjeçari ka marrë armën e tipit pistoletë TT, me të cilën është drejtuar nga 37-vjeçari A.H. Policia në këtë moment ka qenë duke patrulluar, pikërisht në këtë aks dhe vetëm një njoftim i një qytetari, duket se i ka drejtuar blutë për tek dy personat e implikuar në konflikt. Vetëm ndërhyrja e bluve në kohë ka shmangur këtë tentativë. Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar edhe arma me të cilën autori ka tentuar të kryejë vrasjen si dhe një xhup i autorit. Policia ka bërë edhe shoqërimin e të dy personave. Për autorin tashmë ngarkohet vepra penale e vrasjes së mbetur në tentativë, ndërsa është marrë në pyetje edhe shtetasi A. H., i cili rrezikoi seriozisht jetën vetëm shkëmbim fjalësh në një radhë dyqani. Ndërkohë policia ka shoqëruar dhe marrë në pyetje edhe dëshmitarë okularë nga vendi i ngjarjes.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›