E Shtunë, 31 Tetor 2026

Floriri i sekuestruar, nis llogaritja e faturës, kerkohet ligj i ri

28/01/2009  Avokati i Popullit: Kryeministri të ndërhyjë për paraqitjen e një projektligji përfundimtar

Pronarët nisin ankimimet në gjykata dhe pranë zyrave të institucioneve të pavarura

Me iniciativë të Avokatit të Popullit ka nisur llogaritja e pronave të luajtshme që u janë sekuestruar pronarëve nga regjimi komunist, por që ende nuk u janë kthyer. Ndërkohë në gjykata dhe në zyrën e Avokatit të Popullit kanë nisur ankimimet për këtë çështje. Burimet kanë bërë të ditur se janë dy shkresa zyrtare që kanë kërkuar miratimin e një ligji për rregullimin e kësaj situate. Si përgjigje nga institucionet shtetërore është thënë se nuk mund të ketë një projekt konkret deri në përfundimin e një studimi mbi faturën financiare si dhe për të dhënat që janë mbi këtë situatë.

Qeveria

Pak ditë më parë në zyrën e Këshillit të Ministrave është dërguar një kërkesë mbi zgjidhjen e kësaj çështjeje. Ndërsa në zyrën e avokatit të popullit mësohet se janë në pritje të një përgjigjeje gjatë muajit shkurt. Kjo dhe në respektim të afateve procedurale. Në të njëjtën mënyrë është vepruar dhe për Ministrinë e Drejtësisë, ku Dobjani ka nisur një kërkesë zyrtare për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Në zbatim të Kushtetutës së Shqipërisë, ku prona cilësohet e paprekshme dhe e shenjtë, është kërkuar që veç kompensimit të pronave të paluajtshme të ndërmerren hapa dhe për kthimin e pasurive të luajtshme që janë konfiskuar nga regjimi komunist. Ky debat është hapur dhe disa vjet më parë, por nuk ka gjetur një zgjidhje përfundimtare dhe konkrete.

Letra

“Gjatë shqyrtimit të ankesave të paraqitura gjatë 8 vjetve nga qytetarë të ndryshëm në shumë raste është kërkuar nga ana e tyre që të kthehen apo të mundësohet kompensimi i sendeve të tyre të luajtshme, për të cilat në mjaft raste disponojnë dokumentacionin e sekuestrimit, ose në mungesë të tyre u ishin drejtuar organeve gjyqësore për vërtetimin e faktit juridik të ekzistencës së një sendi të caktuar dhe më pas sekuestrimin e tij”, - thuhet në letrën që avokati i popullit i ka dërguar kreut të qeverisë. Në argumentimin e dhënë Dobjani shton se në vazhdim të ndjekjes së këtyre çështjeve dhe në kuadër të mbrojtjes dhe përmbushjes brenda standardeve të të drejtave dhe interesave të ligjshme të ish-pronarëve dëshirojmë të bëjmë të ditur se Avokati i Popullit pas studimit të ligjit “Për kthimin dhe kompensimin e pronave”, të ndryshuar, ka evidentuar faktin se ky akt paraqet ende mangësi të dukshme në rregullimin e marrëdhënieve dhe procedurave që duhet të ndiqen nga organet kompetente shtetërore për kthimin e pronave të sekuestruara në mënyrë të paligjshme ish-pronarëve. Ndërkohë theksohet se në ligjin në fjalë përcaktohet se “kthimi dhe kompensimi i pronave të luajtshme bëhet me ligj të veçantë”. Duke parë faktin se ende nuk ka një nismë për sistemimin e situatës, Avokati i Popullit ka kërkuar ndërhyrjen e Kryeministrit për dhënien e një zgjidhjeje përfundimtare. “Ju rekomandojmë ndërhyrjen tuaj institucionale lidhur me hartimin dhe më pas paraqitjen për miratim të projektligjit për kthimin dhe kompensimin e pronës së luajtshme”, - thuhet në letër. Ndërkohë kërkohet dhe një sqarim përfundimtar sipas afateve të parashikuara në ligj.

Debati katër vjet më parë

Katër vjet më parë gjatë diskutimit për ndryshimin e ligjit të kthimit dhe kompensimit të pronave është debatuar dhe në përfshirjen e kthimit të pasurive të luajtshme. Madje, fillimisht në projektligj nuk u përcaktua kompensimi i pronave të luajtshme apo të paluajtshme, duke i konsideruar si të barabarta. Ndërsa pas nisjes së diskutimit është kërkuar vendosja e një pike të veçante, e cila kërkonte kthimin e pronave të luajtshme, duke e cilësuar si një e drejtë kushtetuese. Në atë kohë u tha se do të kenë të drejtë të marrin pasurinë e sekuestruar të gjithë personat që kishin dokumente origjinale apo të lëshuara nga arkivat mbi sekuestrimin e pasurisë së tyre dhe do të ngarkohej Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për të zbatuar këtë vendim. Por pas një muaji diskutimesh deputetët e mazhorancës si dhe ata të opozitës vendosën që të hiqnin përcaktimet mbi pasuritë e luajtshme, duke përdorur si argument se çështja ishte më e ndërlikuar dhe se do të duhej një draft i posaçëm vetëm për këtë çështje. Kjo për faktin se do të duhej një studim i plotë mbi pronat e konfiskuara si dhe një verifikim konkret i të dhënave. Ndaj dhe në draftin e miratuar u saktësua se për pronat e luajtshme çështja do të zgjidhet me një projektligj të posaçëm. Kjo duke hequr përcaktimin e vendosjes së një afati njëvjeçar për dorëzimin e një projektligji që do të zgjidhte problematikën në fjalë. Ndërsa vetë deputetët në seancën plenare kanë kërkuar që projektligji të paraqitet në një afat sa më të shkurtër kohor, por deri tani asnjë nga forcat politike nuk e ka paraqitur një iniciativë të tillë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›