E Shtunë, 31 Tetor 2026

”Shqipëria, shëmbull sa i përket rrugës integruese”

Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç gjatë takimit ne Podgorice me Kryetaren e Kuvendit shqiptar, Jozefina Topalli theksoi se Mali i Zi është inkurajuar pas ftesës që Shqipëria ka marrë për anëtarësimin në NATO 

TIRANE-Mali i Zi është inkurajuar pas ftesës që Shqipëria ka marrë për anëtarësimin në NATO. Këtë deklaratë i shprehu Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç kryeparlamentares shqiptare Jozefina Topalli pas një takimi që patën sot në mesditë. Zyra e shtypit e Kuvendit bëri të ditur se Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç u shpreh se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO ka qënë inkurajim madje për gjithë rajonin. "Marrja e ftesës për anëtarësim në NATO nga Shqipëria dhe përshpejtimi i ratifikimit të protokollit të NATO-s, është një inkurajim dhe mbështetje për Malin e Zi dhe për të gjithë rajonin".
Kryeparlamentarja Topalli, e cila filloi sot një vizitë në Mal të Zi, me ftesë të homologut të saj malazez, Krivokapic, theksoi se "rajoni po përjeton momente historike dhe po përshpejton hapat drejt NATO-s dhe BE-së. Ndaj çdo sukses i secilit prej vendeve të Ballkanit Perëndimor është një sukses për të gjithë rajonin tonë".

“Shqipëria, pas marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO po punon fort për ratifikimin e protokollit të anëtarësimit, ndërsa sapo ka përmbyllur në një kohë shumë të shpejtë ratifikimin e MSA-së nga vendet anëtare të BE-së", tha znj. Topalli, duke bërë të ditur një nga projektet që kanë nisur udhë, siç është pajisja e qytetarëve me Kartat e Identitetit. Nga ana e tij Presidenti Vujanoviç theksoi se “Shqipëria është një shëmbull i mirë përsa i përket përshpejtimit të rrugës integruese dhe Mali i Zi mund të përfitojë shumë nga përvoja juaj".
Kryetarja e Kuvendit garantoi zotin Vujanoviç se Shqipëria është një mbështetëse e fortë e përafrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor me NATO-n dhe BE-në, duke siguruar se autoritetet shqiptare do të japin të gjithë eksperiencën e tyre për vendet e tjera të rajonit.
(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›