E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masivizimi i sportit ne Tirane

Nga data 17 deri më 21 dhjetor, në kompleksin “Dajti”, Bashkia e Tiranës organizoi kampionatin e minifutbollit mes shkollave të mesme të kryeqytetit. Në këtë aktivitet morën pjesë më shumë se 100 nxënës, nga 10 shkolla të mesme të Tiranës dhe konkretisht “Partizani”, “Don Bosko”, “Petro Nini Luarasi”, “Sami Frashëri”, “Harry Fultz”, “Besnik Sykja”, “Ismail Qemali”, “Qemal Stafa”, “Tirana Jonë”, “Andon Zako Çajupi”. Kupën e këtij kampionati e fitoi shkolla “Andon Zako Çajupi” e cila mundi në finale shkollën “Ismail Qemali”.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës z. Lulzim Basha dhe futbollistët e njohur të Tiranës dhe Kombëtares, si Mema, Fortuzi, Alimehmeti, Patushi, Tola, Riza, Çela etj kanë qenë spektatorë të kësaj finaleje dhe kanë dhënë çertifikatat për ekipet pjesëmarrëse.

“Ne kemi bërë sot, si Bashki e Tiranës, një përpjekje të dytë modeste, për t’u treguar të gjithë qytetarëve të Tiranës që për ne futbolli nuk është vetëm ekipi bardh e blu por është aksesi i qytetarëve në sport, futboll, pak më parë në basketboll, së shpejti në volejboll, ku edhe Ton Tuk Seferi do ketë shansin të na tregojë edhe njëherë talentin e tij të vërtetë e jo të fshehur të futbollit dhe nëpërmjet këtyre garave që nuk do i ndahen kalendarit në verë, dimër, pranverë apo vjeshtë, t’i kthejnë qytetit një cilësi të munguar jetese” – u shpreh z. Basha

Kryebashkiaku Basha tha se Bashkia e Tiranës do të vijojë me prioritet, investimet në gjallërimin e jetës sportive në kryeqytet si dhe ndërtimin e ambienteve sportive.

“Ne do të vazhdojmë të dedikojmë resurse, jo vetëm për organizim kampionatesh por edhe për ndërtim apo rindërtim fushash, për të gjithë ata të rinj që tërhiqen nga sporti dhe që do të tërheqin në fushat sportive të kryeqytetit brezat e ardhshëm dhe bashkëmoshatarët, që sot u mungojnë këtyre fushave”

Të gjithë ekipeve pjesëmarrëse në këtë kampionat iu dorëzuan çertifikata, komplete sportive dhe topa futbolli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›