Maska e famës sipas 20-vjeçarëve
Një tregim i Dino Buxatit u ka bërë aq shumë përshtypje dy regjisorëve të rinj Genc Buxheli dhe Marin Bezatlliu sa vendosën ta bëjnë film. Bëhet fjalë për tregimin “Për hir të emrit” që dy të rinjtë e kanë sjellë më në kohë me titullin “The mask of fame”. Për Buxhelin dhe Bezatlliun ky është filmi i parë i animuar. Dy 20-vjeçarët kanë tri vjet që kanë përfunduar Liceun Artistik për skenografi, por takimi i tyre me artin ka ndodhur vite më parë. Ata pohojnë se për realizimin e filmit kanë punuar për tetë muaj në studion e tyre GMsoft. Me “Maska e famës” ata marrin pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër.
Një gjykatës teksa është duke darkuar me të shoqen bie në “gjumë”. Bashkëshortja e alarmuar thërret “mjeshtrin e madh” për ta vizituar. Por për fatkeqësinë e saj mjeshtri thotë se gjykatësi i ka ditët e numëruara. Çudia ndodh pas pak ditësh, kur gjykatësi në vend që të vdesë zgjohet shend e verë. Mjeshtri i madh nuk mund të gabohet, dhe nëse ai ka thënë se gjykatësi duhet të vdesë brenda pak ditësh, ashtu do të ndodhë.
Regjisorët thonë se ky është një realitet që nuk i ka përkitur vetëm kohës se Buxatit po është aktual edhe në ditë e sotme prandaj edhe e kanë zgjedhur.
Ku është bazuar skenari i“The mask of fame”?
Historia është bazuar në tregimin e Dino Buxatit “Për hir të emrit”. Është pak a shumë e njëjta histori. Ne vetëm sa e kemi modifikuar për ta përshtatur më shumë me kohën dhe ambientin tonë.
Përse pikërisht kjo histori?
Ne vendosëm që të bënim një histori që të ishte njëkohësisht komike dhe dramatike. Në dorë kishim disa skenarë që i kishim krijuar vetë por pas leximit të tregimit vendosëm për të.
Filmi juaj është një animacion ndryshe nga ai që jemi mësuar të shohim deri tani.
Teknika e filmit ishte një gjë e re edhe për ne. Më parë kemi realizuar disa videoklipe muzikore të animuara që kanë pasur grafikë tërësisht ndryshe. Menduam të bënim diçka më bashkëkohore nga ana grafike. Për këtë i jemi referuar regjisorit Tim Burton. Filmi ynë ka pothuajse të njëjtin stil si “Corpse bride” i Burton. Është një stil pak gotik dhe pak i errët. Ky film është realizuar i gjithi në kompjuter dhe për këtë na është dashur të përdorim një pafundësi programesh.
Maska e famës e rrëfyer me një stil gotik të errët, por me një moral që i shkon për shtat kohës sonë.
Në rastin e filmit tonë maska e famës është maska e mjeshtrit që në të vërtetë nuk është i aftë por nga emri i madh që ka krijuar, njerëzit detyrohen ta vlerësojnë për më shume se sa është. Mjeshtri kishte vrarë shumë të tjerë më parë dhe për hir të emrit nuk kurseu as gjykatësin që ishte një njeri me pozitë. Dhe kjo është maska e tij. Ne na tërhoqi kjo temë se është shumë aktuale, në të gjitha aspektet. Njerëz të tillë i gjen jo vetëm në mjekësi por edhe në fusha të tjera.
Kujt kategorie publiku i drejtohet filmi juaj?
Të gjitha moshave. Edhe për fëmijët është komik edhe për të rriturit ka mesazh. Ato që nuk i kap një fëmijë i kap një i rritur dhe kjo është e rëndësishme.
Cilat histori mund të tregohen nëpërmjet filmit të animuar?
Në filmat e animuar më shumë përdoren historitë komike, ngjarjet që të bëjnë për të qeshur. Por edhe dramatikja ka efektin e vet dhe ia vlen të tregohet me animacion.
Çfarë problemesh mendoni se ka animacioni shqiptar?
Ka probleme të mëdha nga ana e teknikës. Pjesa më e madhe e atyre që merren me animacion kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë me teknika të vjetra. Bota ka ndryshuar, teknikat gjithashtu. Nuk ka nevojë të kesh një studio gjigante për të bërë një film të animuar. Mjaftojnë dy kompjutera (aq kemi ne) për të bërë gjëra të bukura.