E Diel, 1 Nëntor 2026

Qurravitja pas horrave

Që në muajt dhe vitet e para, kur njerëzit e mirë prisnin ditët e mira të demokracisë, karagjozët e pashpirt dhanë kushtrimin: Qytetarë dhe fshatarë, të rinj e të reja, shembni, shkretoni dhe përvëloni gjithçka që u ndërtua me djersë dhe gjak në dhjetëra vite. Ne, trimat dhe patriotët u dhamë urata, rrëmbyem sëpata, dinamite dhe ura zjarri, rrafshuam vende pune e prodhimi, objekte sociale e kulturore, masive me pemëtari dhe pyje! U mbytëm në dete dhe u vramë maleve, u turpëruam edhe rrugëve të botës.

Ç’mund të kishim bërë? Të mos qurraviteshim pas horrave. Se, kemi edhe krahina që nuk arritën gjer në këtë shkallë. Ndër to edhe Roshniku. Në këtë zonë, demokratë dhe socialistë, u vunë kufirin tek thana të paudhëve injorantë. Për ta nuk u kursyen as domatet, as vezët e qelbura, me të cilat ua bënë helaq surratin!

Në Roshnik nuk u shkatërrua asgjë. Nuk u pre një peme. Nuk u shemb asnjë objekt prodhimi apo social. Cilido që do shkojë atje do ta shikojë tokën të mbuluar me vreshta e ullishte, me qershi dhe mollë. Do të shikojë shtëpi vila, bare e restorante, punishte për përpunimin e rrushit, të frutave, të ullirit. Njerëz që punojnë e banojnë atje.

Nga dita në ditë prej gojëve të karagjozëve dëgjojmë: Vitet kur u bënë edhe gabime i lamë pas. Tani të shikojmë dhe të ecim përpara. Gjithkush do të dëshironte të mos i kujtonte ato vite të katrahurave. Por për fat të keq, dramat dhe tragjeditë nuk po sosen. Sa nis të venitet njëra, na bëhet peshqesh tjetra.

Merren dhjetëra jetë njerëzish, përvëlohet një Gërdec i tërë me shtëpi dhe katandi vetëm e vetëm se të pashpirtët e babëzitur çuan në mes të banorëve hallexhinj barut, predha,vdekje! Karagjozët e babëzitur gjejnë guxim e ngushëllojnë: Gjeni forca të përballoni dhimbjen.

Qeveritarët betohen për lëvizje të lira dhe miqësi të shkëlqyera! Qeveria betohet për bume ekonomike. Nëse i thua kryeministrit: More zotëri, nuk janë gjërat kështu siç thua ti, ai ta kthen: Ta bëj surratin si opingë.

Vjen një ditë dhe horrat, si gjithë qeniet e gjalla, largohen nga kjo botë. Dhe, ne, i përcjellim me lot e ngashërim. Ndoshta do jemi të vetmit banorë në botë që derdhim lot për të paudhët sa janë gjallë kurse më pas, pasi krimbat u hanë mishin, ne u gërmojmë eshtrat dhe u ndotim edhe varret. Pse mëkatojmë kaq shumë vallë? Se ne jemi frikacakë. Mezi presim fushatat e zgjedhjeve të rivotojmë karagjozët.

Ç’mund të bëjmë? Mbase do qe më për hajër që të mbanim shënime kur na premtojnë parajsën dhe t’ua bëjmë helaq surratin, kur namashtrojnë e na vjedhin. Të mos ua kursejmë edhe domatet, edhe vezët e prishura, por edhe purtekën e lojthatës, edhe guriçkat e lumit, pa pritur të shikojmë e përjetojmë drama dhe tragjedi, si këto që kemi parë e përjetuar. Kështu mbase do të vrasim frikën e trashëguar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›