"Ne dhe Lenini, sonte premiera
Konkurrimi në ditën e fundit të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit me Metrazh të Shkurtër që po mbahet në Tiranë prej 1 dhjetorit, i kushtohet tërësisht filmit shqiptar. Janë 27 prej të cilëve juria e përbërë nga Ylli Pepo, Vasjan Lami dhe Veton Nurkollari, do të zgjedhë filmin më të mirë shqiptar për TIFF ’08. Pjesëmarrja në këtë seksion e prodhimeve nga Kosova, Shqipëria, madje edhe nga Maqedonia, është më e gjërë se të gjitha edicionet paraardhëse. Projeksioni i tyre do të bëhet si gjithmonë në Kinema Imperial në dy seanca, në orën 11.00 dhe 16.00.
Sonte mbahet ceremonia e çmimeve TIFF, në Kinema Millenium ora 19.30. Juria ndërkombëtare e përbërë nga Naomi Uman, Silvio Maselli, Davide Barletti dhe Kristaq Skrami jep Çmimin për Filmin më të Mirë të Festivalit, për Filmin më të mirë të animuar, dokumentari dhe eksperimentali më i mirë. Do të jepen çmimi i medias dhe i publikut.
Pas kësaj ceremonie të shkurtër, publiku do të ndjekë po në Millenium në orën 20.30 premierën e filmit shqiptar “Ne dhe Lenini” të regjisorit Saimir Kombaro. Historia me skenar të Ruzhdi Pulahës na çon në një azil dhe tek disa personazhe që do të zbulojnë raportet e këtij me të kaluarën e diktaturës, me komunizmin dhe socializmin, por në një formë tragjikomike. Në role interpretojnë Robert Ndrenika, Tinka Kurti, Mirush Kabashi, Mehdi Malkaj, Lazër Filipi, Margarita Xhepa, Elvira Diamanti etj.
“Ne dhe Lenini” ktheu regjisorin Kumbaro në sheshxhirim pas 12 vjetësh, që nga koha e realizimit të “Vdekja e kalit”. Filmi i tij i ri është prodhim i Qendrës Kombëtare Kinematografike, S. K Film Production, K. S Visions France, Smart Fyrom, Centre International de Cinema France dhe Ministria Maqedonase e Kulturës.