Në fakultetin "e ri"
Muzikë tallava dhe salla aspak të përshtatshme të kthyera në auditore. Ky do të jetë ambienti i ri në Kinoklubin e Qytetit Studenti, ku do të zhvillojnë leksionet studentët e Fakultetit Juridik dhe atij të Shkencave Sociale. Gjimnazi “Petro Nini Luarasi”, mbetet zgjedhje në letër, pasi nuk ka vendim për shfrytëzim
I shkreti përgjegjës qan hallin e tij. Dy ditë më parë drejtori i bujtinave bashkë me ca burra të kollarisur, që dolën se ishin pedagogë të Juridikut, mësynë në Kinoklub, sallë më sallë dhe çoç biseduan me njëri-tjetrin. Ndenjën aty jo më shumë se 20 minuta dhe më pas u larguan në kafe. Kaq pa përgjegjësi i kulturës, pasi ajo që mësoi pak sekonda më pas do ta pezmatonte në kulm. Duket që mërzitja, megjithëse kanë kaluar ca orë të mira nga largimi i mysafirëve të papritur, nuk i ka dalë akoma. Atelieja ku ai bënte ndonjë punë të vockël artistike nga e hëna e tutje do të jetë dhoma e dekanit të Juridikut apo ndoshta e atij të Shkencave Sociale. Kështu i kanë thënë, dhe urdhri është urdhër. Në katin e dytë, aty ku nga e marta është vendosur të nisin leksionet mbretëron një qetësi olimpike. Të vetmet që hasen në brendësi të sallave janë disa studente të cilat qërojnë mollë dhe shfletojnë leksionet. Më tej në një zyrë të vogël të përshtatur më së miri në dhomë ndenjeje veshur me përparëse të bardha rrinë me nge dy gra, që kuptohet duhet të jenë pastruese në objekt. Përgjegjësi i Kulturës na shoqëron sallë më sallë duke na referuar kapacitetet përkatëse të gjithsecilës. Bën si bën dhe sërish meraku e ha te atelieja, që me gjasa të shumta në 9 muajt e ardhshëm nuk do të jetë më këndi i shfrimit të prirjeve artistike. Nuk ka faj, duket që është i lidhur shpirtërisht me dhomën. Të vetmet salla të pazëna në Kinoklubin e Qytetit Studenti janë ato në katin e parë dhe të dytë në godinën qendrore. Të tjerat janë dhënë me qira, para të cilat sipas përgjegjësit të kulturës në qendër, shkojnë në financat e Drejtorisë e cila i kthen më pas në shërbim të mirëmbajtjes së godinave të qytetit që numëron rreth 7 mijë banorë. Në anë të kinoklubit, gjenden dy bare luksoze, të cilat me ardhjen e studentëve me siguri do të njohin kulmin e fitimit, atë që nuk e kishin ëndërruar më parë. Diku më tej, në po të njëjtën godinë, ushtron aktivitetin e tij një nga televizionet më prestigjoze muzikore në vend. Ca burra të ulur në katin e parë të kinoklubit diskutojnë me zë të lartë, skenarin e reklamës televizive. Përgjegjësi kulturor, i cili nuk dëshiron të bëjë publik emrin, dëften se në funksion të studentëve do të jenë vetëm 4 salla. Secila prej tyre mban 300 studentë njëherësh dhe mund të shërbejnë fare mirë për zhvillimin e leksioneve. Kaq di të thotë, pasi të tjerat nuk janë punë e tij. Studentëve do t’u duhet të ngushtohen shumë për të lëvizur në brendësi të objektit. Nëse në të vërtetë, sikurse është menduar, në kinoklub do të akomodohen studentë të të dy fakulteteve, atëherë rrëmuja do të jetë e pashmangshme. Burime pranë fakulteteve konfirmojnë se mësimi do të zhvillohet me dy turne, ndërkohë që akoma nuk është përcaktuar forma e organizimit. “Nuk di çfarë të them. Di vetëm se Qyteti Studenti do të ketë humbje financiare nga zënia e objektit në llogari të fakulteteve. Sallat jepen shpeshherë me qira për aktivitete kulturore, por thashë që kjo është punë e drejtorisë dhe jo e imja”, na thotë përgjegjësi që më shumë se hallin e sistemimit të studentëve ka atë të ateliesë e cila tani kush e di kur lirohet.
Kinoklubi, vijnë karriget e Juridikut
Nga dita e djeshme në ambientet e Kinoklubit të Qytetit Studenti kanë filluar lëvizjet e para për sistemimin e sallave të përcaktuara për zhvillimin e leksioneve. I kontaktuar nëpërmjet linjës telefonike, Bujar Brovina, drejtor i Qytetit Studenti ka konfirmuar lajmin se duke nisur nga dita e martë, Kinoklubi do të jetë strehëza e re e studentëve të Fakultetit Juridik dhe atij të Shkencave Sociale. Madje që dje ka filluar edhe kompletimi i sallave dhe përshtatja e tyre në auditore. “Në funksion të zhvillimit të leksioneve do të jenë në dispozicion 4 salla, dy prej të cilave do të përdoren edhe për seminare”, ka pohuar Brovina.
“Petro Nini Luarasi”, pret vendimin e Ministrisë së Arsimit
Ditët e fundit është folur edhe për një zgjidhje të dytë nën mëngë për akomodimin e studentëve në të dy fakultetet, që nuk zhvillojnë leksione prej tri javësh. Rektorati i Universitetit të Tiranës në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit kanë menduar që një pjesë të leksioneve t’i zhvillojnë në ambientet e gjimnazit “Petro Nini Luarasi”, në kryeqytet. Në fakt deri tani nuk ka asnjë lëvizje në këtë drejtim. Diana Kalemi, drejtoreshë në gjimnazin në fjalë ka mohuar për gazetën “Shekulli”, të ketë marrë një vendim të tillë nga MASH. “Deri më tani nuk kam marrë asnjë vendim të tillë. Sigurisht i takon Ministrisë së Arsimit që të vendosë dhe ne patjetër që do t’i përgjigjemi pozitivisht kërkesës”, u shpreh drejtoreshë Kalemi.