E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maskat dhunojnë kryefamiljarin, marrin paratë

 

GJIROKASTER – Dhunojnë të zotët e shtëpisë gjatë grabitjes së banesës. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së hënës në fshatin Sofratikë, 15 km në jug të qytetit të Gjirokastrës. Viktima të agresionit dhe grabitjes kanë qenë një çift të moshuarish, minoritarë grekë që jetojnë të vetëm, pasi fëmijët e tyre ishin në emigracion. Dy persona të maskuar kanë hyrë në banesën e 70-vjeçarit Spiro Nasto, me qëllim grabitjen e parave të tyre. Kryefamiljari pasi ka dëgjuar zhurmë jashtë banesës ka dalë për të parë së çfarë po ndodhte, kur në befasi ai është ndeshur me dy persona të maskuar. Keqbërësit e kanë goditur disa herë me grushte dhe shqelma të moshuarin dhe më pas e kanë kërcënuar me thikë atë dhe bashkëshorten për të mos bërë zë, por të tregonin ku ishin fshehur të hollat që mbante. Veç kësaj ata kanë kërkuar nga pleqtë të mos lajmëronin policinë edhe pasi ata të largoheshin. Përballë një situate të tille, çifti i të moshuarve i ka drejtuar dy personat drejt komodinës ku ndodheshin 30 mijë lekë të vjetra si dhe 50 euro. Policia lokale me të marrë njoftimin është nisur në drejtim të vendngjarjes. Sipas burimeve zyrtare grupi hetimor po heton me intensitet ngjarjen e paprecedentë dhe shumë shpejt pritet që autorët të vihen në pranga. Në aksion janë vënë përveç grupeve të ndryshme të identifikimit edhe qentë zbulues për të bërë të mundur përcaktimin e drejtimit të lëvizjes, me qëllim ndjekjen dhe kapjen e autorëve.                              p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›