Rrëzohet tregu i kromit shqiptar
DURRES / OERD ULQINI
Kriza botërore në ekonomi trondit tregun shqiptar të kromit. Burimet nga Porti i Durrësit saktësojnë se eksportet e industrisë sonë minerare, kryesisht krom dhe hekur-nikel janë gjunjëzuar nga mungesa e kërkesës në vendet importuese.
Vetëm gjatë periudhës janar-shkurt të këtij viti, nga Durrësi është nisur drejt tregjeve botërore 60 mijë tonë krom më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Importuesit më të mëdhenj në botë të këtij minerali janë Kina dhe India, ndërsa eksportuese të rangut të parë, të cilat diktojnë edhe bursën e ofertës janë Turqia dhe Afrika e Jugut. Shqipëria është krejt e pafuqishme të luajë një rol aktiv në bursë dhe si e tillë ajo i nënshtrohet konjukturës së tregut. Rënia drastike e eksporteve të industrisë sonë minerare është tregues i pamohueshëm i krizës botërore, që tashmë po mbërthen Shqipërinë. Këtë faturë po e paguan jo vetëm buxheti i shtetit, por edhe ata tregtarë që merren me kromin. Minerali ka mbetur pa u shitur, pasi në këtë periudhë krize tregu botëror është i ngopur me këtë produkt, ose ka ulur ndjeshëm kërkesën për import. Shumë produkte të industrisë sonë minerare tashmë në kohë krize vlejnë më pak. Nëse 1 tonë krom që eksportohej një vit më parë nga Durrësi, blihej nga Kina me afro 400 dollarë për tonë, sot shifrat janë bërë të frikshme, pasi 1 tonë krom kushton më pak se 80 dollarë. Në bursat aziatike, e kryesisht atë të Hong-Kongut, kromi është zhvleftësuar në atë nivel sa tashmë nuk ia vlen më barra qiranë ta marrësh nga Bulqiza e ta dërgosh në Kinë apo Indi. Të njëjtat shifra pesimiste llogariten edhe për mineralet e tjera shqiptare që eksportohen. Deri një vit më parë kromi ishte krenaria e eksporteve tona, i cili në një masë të ndjeshme zbuste deficitin import-eksport të Shqipërisë. Sot ky lloj biznesi është në udhëkryq, duke rënduar jo vetëm në uljen drastike të eksporteve tona, por duke gjunjëzuar ekonomikisht mijëra familje minatorësh dhe tregtarësh, të cilët nisën të rigjallërojnë sadopak industrinë tonë minerare.