E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pagat, fitojnë rritje mësuesit me master

 

Deri në 20% do të jetë shtesa e pagës për të gjithë ata mësues,  që kalojnë me sukses testin e 29 marsit. Por ndërsa arsimtarët që kanë mbushur vitet e punës duhet të kapërcejnë patjetër këtë prove, kush ka master do të fitojë menjëherë kualifikimin. Këtë bën me dije Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Sipas këtij dikasteri, të gjithë ata mësues që kanë plotësuar vjetërsinë sipas tre shkallëve të kualifikimit deri më 31 dhjetor 2008 dhe kanë kryer master nuk do të futen në provim. Ndërkaq, veç tyre gjithsej në Drejtorinë Arsimore të Tiranës janë paraqitur rreth 270 mësues, që do të testohen për të përfituar rritjen e pagës. Programet sipas lëndëve janë shpërndarë në drejtoritë e shkollave. Gjatë kësaj periudhe mësuesit që do të hyjnë në këtë proces do të pajisen me një vlerësim të brendshëm të realizuar nga drejtoria e shkollës dhe një vlerësim të jashtëm nga sektori i inspektimit në Drejtorinë Arsimore Rajonale. Testimi bëhet për tre kategoritë përkatëse sipas viteve të punës. Pjesë e tij do të bëhen të gjithë ata, që deri më 31 dhjetor 2008 kanë plotësuar vjetërsinë nga 5 deri në 9 vjet për shkallën e tretë të kualifikimit, nga 10 deri në 19 vjet për të dytën dhe 20 e më shumë vjet për shkallën e parë të kualifikimit. Mbi bazën e shkallëve do të jetë edhe motivimi financiar. Për kategorinë e tretë shtesa e pagës është 10 për qind, për të dytën 10 për qind dhe për të parën 20 për qind. Mësuesit që për një arsye apo një tjetër nuk marrin pjesë në provim kanë mundësi të hyjnë vitin tjetër. Rregullorja e testimit parashikon, që të gjithë mësuesit e arsimit parauniversitar do t’i nënshtrohen provimit në datën 29 mars në mjediset e shkollës 9-vjeçare “Pjetër Budi”. Testi nuk zgjat më shumë se 120 minuta. Të gjithë mësuesit pjesëmarrës duhet të paraqiten në provim me dokument identifikimi. Rregullorja parashikon që brenda pesë ditëve nga data e provimit, pjesëmarrësit në provim kanë të drejtë të ankohen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›