E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nehat Kulla dënohet 20 vjet nga Apeli

 

DURRES – Nehat Kulla dënohet dhe nga Apeli me 20 vjet heqje lirie për vrasjen e shoferit të ish-ministrit të Rendit, Halit Shamata. Pas vendimit që mori për Kullën, Gjykata e Kavajës, edhe Gjykata e Apelit në Durrës ka lënë në fuqi vendimin, i cili shpall fajtor të akuzuarin për vrasjen e Halim Gjuzit. Ngjarja e rëndë ka ndodhur 11 vjet më parë, ndërsa viktima 30-vjeçar udhëtonte me makinën e tij në rrugën nacionale Durrës-Kavajë. Një incident me makinën, ku sipas akuzës ndodhej Nehat Kulla, ka bërë që ky i fundit të qëllonte me armë zjarri Gjuzin në sy të familjarëve të tij. Dëshmitarët e ngjarjes së rëndë pohuan se autori ndodhej në një makinë “Shevrolet” me targë ushtrie, element që çoi vite më vonë në emrin e Nehat Kullës. Për vite me radhë, dosja mbeti pa autor, derisa pas arrestimit të Kullës rinisën hetimet për të. Gjetja e provave të reja plotësoi dosjen, e cila u dorëzua në Gjykatën e Kavajës. Gjatë kësaj periudhe Nehat Kulla ndodhej në burg, i dënuar për një sërë krimesh të tjera. Provimi dhe dënimi i tij për krimin e vrasjes do të bëjë që Kulla të qëndrojë dhe për vite të tëra në qeli. Nehat Kulla u bë i njohur gjatë viteve të trazirave të vitit 1997, për t’u ndaluar disa herë nga policia shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›