E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, Interpoli kap në Teksas “killerin” në kërkim nga Fieri

 

Trazhgim Sokolaj

Arrestohet në Teksas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës shqiptari i shpallur në kërkim ndërkombëtar për akuzat e vrasjes. Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, Zyra e Interpol Tirana konfirmoi arrestimin e të shumëkërkuarit Gramoz Yzeiri. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për akuzën e vrasjes ndaj Xheladin Qelisë. Ekzekutimi me armë zjarri ka ndodhur në vitin 1998 për shkaqe hakmarrjeje, ndërsa autori i ngjarjes ka arritur të largohet nga Shqipëria dhe me dokumente të rreme është “strehuar” në SHBA. Arrestimi në Teksas mësohet se ka ndodhur rreth një javë më parë, ndërsa dje është konfirmuar zyrtarisht identiteti i të prangosurit pas verifikimit të tij disaditor. “Personi 38-vjeçar është gjurmuar dhe vënë në pranga në bashkëpunim me Interpol Uashingtonin dhe agjentët e ISE”, thanë burimet zyrtare nga Interpol Tirana. Sipas tyre, agjentët amerikanë duke marrë shkas edhe nga të dhënat e policisë shqiptare ishin vënë prej dy javësh në ndjekje të personit të kërkuar, i cili ra në pranga ditën e djeshme në një zonë të Teksasit, fare pranë vendbanimit të tij. “Interpol Uashingtoni së bashku me skuadrat e agjentëve të vëzhgimit kanë realizuar arrestimin e Gramoz Yzeiri, lindur më 6 maj 1971, në Fier, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprën penale të vrasjes me paramendim në bashkëpunim. Pas gjurmimit nga agjentët federalë amerikanë, mësohet se shqiptari i shumëkërkuar është ndaluar për verifikim. Në momentin e parë të komunikimit me agjentët që ishin vënë në ndjekje të tij, i shumëkërkuari u ka treguar atyre një dokument të rremë identiteti që mbante emrin Adriatik Papa. Sipas burimeve nga policia, mësohet se dokumenti i identifikimit ishte falsifikuar nga mbajtësi i tij, me qëllim që t’i shpëtonte ndjekjes ndërkombëtare nga shërbimet e Interpolit. “Ndaj të arrestuarit Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier ka vendosur masën e sigurimit ‘arrest me burg’ për veprën penale të vrasjes me paramendim në bashkëpunim”, thanë më tej burimet nga Policia e Shtetit. Sipas tyre, krimi i parë për të cilin akuzohet Gramoz Yzeiri ka ndodhur në vitin 1998, kur i arrestuari në SHBA, në bashkëpunim me të dyshuarin tjetër Renato S., akuzohen se kanë vrarë për motive hakmarrje Xheladin Qelinë. Në arkivat e Policisë së Shtetit janë dokumentuar edhe dy ngjarje të tjera të rënda, që kanë pasur si protagonist të arrestuarin e djeshëm në Teksas të SHBA-ve. “Më 25 korrik 2002, në orë 23:00, u arrestua shtetasi Agron Nevruz Yzeiri, 22 vjeç, banues ne fshatin Kreshpan, me arsim të mesëm, i shpallur në kërkim. Ky person në bashkëpunim me vëllezërit e tij Gramoz Yzeiri (arrestuar së fundi në SHBA), Ylli Yzeiri (në kërkim), kanë vrarë Sabri Yzeirin, 30 vjeç, në fshatin Kreshpan”, thuhet në një komunikatë të Ministrisë së Brendshme. Emri i Gramoz Yzeirit rezulton i pranishëm edhe në një tjetër ngjarje të rëndë të ndodhur në fshatrat e Fierit në vitin 2002.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›