Maskat grabisin me dhunë karburantin
TIRANE- Dy persona të maskuar kanë grabitur me dhunë një pikë karburanti në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur në rrugën "4 Dëshmorët" në afërsi të gjimnazit "Partizani". Personat që ende nuk janë identifikuar nga policia i janë afruar dy punonjësve të karburantit dhe pasi i kanë rrahur me grushte kanë marrë të gjitha paratë që ndodheshin në kasë. Më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes duke mos u identifikuar ende nga policia. Ndërkohë, sipas policisë edhe dy vjedhje të tjera janë realizuar gjatë natës së të shtunës. Persona të panjohur kanë vjedhur me thyerje një klinikë dentare dhe një farmaci. Në Komisariatin Nr.1, Avdyl Shijaku ka denoncuar se i janë vjedhur disa pajisje të klinikës së tij dentare, që ndodhet në rrugën "Mihal Grameno" në Tiranë. Në mëngjes kur ka shkuar të hapë klinikën ka parë që dera e jashtme ishte e hapur dhe aty mungonin disa pajisje. Një tjetër denoncim për vjedhje është bërë në Komisariatin Nr.5. Erjon Jakupi ka kallëzuar se gjatë natës i është vjedhur me thyerje farmacia "Erjon" në pronësi të tij, që ndodhet në Kodër Kamzë. Në sirtarin ku ai mbante paratë mungonin 130 mijë lekë të vjetra dhe dera e farmacisë ishte e thyer. Policia nuk ka identifikuar ende autorët e 3 ngjarjeve.