E Diel, 1 Nëntor 2026

Autori në gjyq: Vrava Ferhatin me thikën e tij

 

TIRANE - Gjykata e Tiranës vendosi dje masën e sigurisë "burg pa afat" për 24-vjeçarin Elvis Meta, të akuzuar për vrasjen me dashje të adoleshentit Jeton Ferhati katër ditë më parë në Laprakë. Para gjykatëses së gatshme të kësaj jave në Gjykatën e Tiranës, Fatmira Hajdari 24-vjeçari, pohoi paraditen e djeshme se nuk kishte dashur ta vriste viktimën, por vetëm ta trembte atë. Sipas tij, ai dhe i vëllai i tij Ervin Meta, me origjinë nga Puka dhe banues në Laprakë ishin grindur me fqinjin e tyre adoleshent Jeton Ferhati 18 vjeç me origjinë nga Dibra. Sipas të arrestuarit viktima kishte pasur një thikë në xhep dhe me të kishte tentuar t'i qëllonte të arrestuarit, ndërsa ky ia kishte kapur thikën dhe me të e ka qëlluar në çast. Sipas tij i vëllai nuk ishte ngatërruar në grindje, por vetë ky e kishte qëlluar viktimën. Ndërkohë, përfaqësuesi i prokurorisë pohoi se edhe i vëllai i të arrestuarit ishte shpallur në kërkim, pasi dyshohet se edhe ai është përfshirë në grindjen e çastit, që i shkaktoi vdekjen adoleshentit. Sipas prokurorit ngjarja e rëndë mes dy vëllezërve Meta dhe adoleshentit kishte ardhur si pasojë e një grindjeje çasti, ndërsa  ndodheshin në trotuarin e autostradës, në vendin e quajtur Kryqëzimi i Laprakës.         f.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›