E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maskat vjedhin studentët nën kërcënimin e armës

VJEDHJET/ Në qytetin e Lushnjës, Vlorës, si dhe në kryeqytet gjatë 24 orëve të fundit, janë regjistruar grabitje banesash e lokalesh


Vjedhjet kanë filluar të lulëzojnë. Në 24 orët e fundit të tilla janë regjistruar në kryeqytet, në Vlorë dhe Lushnjë. Banesat dhe lokalet kanë qenë pre e hajdutëve, ndërkohë deri më tani nuk është mundur të kapet asnjë nga autorët. Ende të paarrestuar janë edhe dy personat që vodhën pagat e pensionistëve në Gjirokastër ditën e mërkurë.


Vlorë, vidhen katër studentë


Katër studentë janë sulmuar në orët e natës, brenda në banesën e tyre, ndërkohë që kërcënimi me armë është bërë vetëm për 10 mijë lekë të reja, një laptop e 6 celularë. Ngjarja ndodhi rreth orës 02:00 të mëngjesit të së enjtes në lagjen "Pavarësia", pranë një pallati të përfunduar rishtas, ku edhe studentët banonin prej një muaji.


Dy persona të maskuar dhe me armë kanë hyrë në katin e tretë, në apartamentin ku banonin të rinjtë, duke e mundësuar këtë nëpërmjet verandës dhe ndihmuar më pas nga dritarja që kanë lënë hapur të rinjtë. Pasi kanë parë që një nga të rinjtë ka ndier zhurmën, një prej të maskuarve i ka drejtuar atij pistoletën, duke e kërcënuar për të nxjerrë gjithë paratë që kishin.


Një prej grabitësve ka goditur gjithashtu me qytën e armës dy prej tyre dhe kanë marrë portofolin e një prej studentëve, brenda të cilit kishte 10 mijë lekë të reja e dokumente personale të tij, një laptop dhe celularët, gjithsej 6.


Ngjarja ka traumatizuar të rinjtë, të cilëve nuk u ka mbetur tjetër veçse të njoftonin policinë. Për gazetën "Shekulli" një nga studentët tregon: "Ishim në gjumë dhe sa mblodhëm veten dhe filluam të mendonim si të reagonim, ata u larguan pa lënë shumë kohë të veprohej. Por edhe prania e armës na stepi.


Një prej tyre kishte pistoletë dhe tjetri një thikë. Ne jemi të katërt studentë të vitit të parë. Vazhdojmë kurset e verës në universitet dhe nuk kemi aq shumë të ardhura sa të tërheqim vëmendjen. Çfarë na japin nga familjet në fillim muaji. Paguajmë qiranë dhe shtrëngohemi për të kaluar muajin". Policia thjesht ka marrë në pyetje të rinjtë, duke klasifikuar vjedhjen e shtuar në vjedhjen e radhës, vjedhje të cilat kanë shënuar rritje tani gjatë sezonit të verës, kur në Vlorë vijnë edhe pushues.

Lushnjë, vidhet një "internet-kafe"


Sipas policisë së Lushnjës, është vjedhur një qendër interneti në pronësi të shtetasit J.D. Vjedhja është konstatuar mëngjesin e djeshëm nga pronari i qendrës, ndërkohë që ngjarja ka ndodhur në fshatin Tërbuf. Me marrjen e njoftimit në vendin e ngjarjes shkoi grupi hetimor, ku rezultoi se gjatë natës persona të paidentifikuar kishin grabitur 9 monitorë dhe 7 njësi qendrore kompjuteri. Nga policia u bë e ditur se po hetohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.


Tiranë, hajdutët grabisin një banesë


Në kryeqytet, një banesë në afërsi të Qytetit të Nxënësve është vjedhur në orët e vona të mbrëmjes. Mësohet se në banesë në kohën kur kanë hyrë autorët nuk ka pasur asnjë njeri.


Brava e derës së blinduar të apartamentit është mundur që të hapet nga hajdutët, të cilët më pas të qetë janë futur brenda duke marrë një laptop dhe të gjitha sendet e çmuara që ndodheshin në shtëpi. Vetëm pasi është kthyer pronari ka gjetur të bastisur banesën e tij teksa ka njoftuar policinë. Ndërkohë nga uniformat blu është bërë e ditur se brenda kësaj jave në të njëjtën zonë kanë ndodhur tre vjedhje.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›