Maskerano, marrëveshje me Barcelonën
Havier Maskerano ka vendosur të largohet nga Liverpuli. Së fundmi është zbuluar se këshilltarët e mesfushorit kanë gjetur akordin me Barcelonën, për transferimin në "Kamp Nou" të argjentinasit gjatë janarit, ose në merkaton e verës. Në skuadrën e drejtuar nga Pep Guardiola, Maskerano do të përfitojë rreth 120 mijë euro në javë. Barça ka shfaqur interesim për shërbimet e 25-vjeçarit që prej fundit të sezonit të kaluar, por Liverpuli nuk pranoi të negocionte: arsyeja kryesore ishte se Benitez lejoi transferimin e Ksabi Alonsos te Reali dhe nuk mund të shiste një tjetër pikë të fortë të mesfushës. Lojtari nuk e ka fshehur dëshirën të jetojë në Katalonjë dhe kjo e shtyn Guardiolën që ta shohë si një element të nevojshëm në skuadër. Bordi drejtues i "blaugranave" është i bindur se marrëveshja me klubin britanik për lojtarin mund të realizohet për një shifër të përafërt me 32 milionë euro. Një tjetër objektiv në merkato është edhe braziliani i Mançester Sitit, Robinjo. Barcelona ka fonde të mjaftueshme për të afruar edhe sulmuesin, i cili nuk është i kënaqur te "Sitizëns", pavarësisht milionave që përfiton nga pronarët arabë të klubit.