E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në tri toka, askund

“Identitetit është problem të cilin gjithmonë e kam trajtuar në veprat e mia”. Me këtë fjali të regjisorit Arben I. Kastrati do të mund t’i qaseshim më lehtë filmit të tij më të ri. Edhe ky film nga Arben I. Kastrati trajton këtë problem në një mënyrë të veçantë, duke na paraqitur një histori, për një kohë të caktuar, të tre shqiptarëve nga tri vende të ndryshme, Kosova, Shqipëria, Maqedonia – të cilët kanë nevojë të ikin.

Arben I. Kastrati, skenaristi dhe regjisor i filmit takon rastësisht “në tokën mes kufijve” tre shqiptarët, shqiptarin nga Kosova, i cili ndjenë mungesën e atdheut, mungesën e identitetit kombëtar; shqiptarin nga Shqipëria, që ndjen pasojat e atdheut komunist që e ndjek, e dhunon; dhe shqiptarit nga Maqedonia të cilin shteti as që e trajton. Ky takimi i rastësishëm na sjell dramën që e përshkojnë këto tri personazhe, të cilat, si pasojë e besimeve të ndryshme e botëkuptimeve që kanë për atdheun, identitetin, kombin botën, hasin në ndryshime dhe shpesh kjo e sjell konfliktin. Të tre përfundojnë ndryshe nga ajo që kanë synuar.

Edhe pse premierë, salla nuk ishte e mbushur.

Sipas Kastratit ”ky problem e përcjell fatkeqësisht edhe në këtë kohë shoqërinë tonë edhe pse ngjarja e filmit ndodhet ne vitin 1983, shqiptari nga Kosova vazhdon te kërkojë atdhe në një mënyrë identitet të vetin, shqiptari nga Shqipëria vazhdon të ikën nga atdheu, në Maqedoni nuk trajtohemi aspak si shqiptarë, kështu që ne ende kemi probleme te pa zgjidhura të cilat mendoj që duhet të zgjidhen, prandaj s’duhet te kemi frikë t’i zgjidhim problemet por përkundrazi të ballafaqohemi dhe të mëremi me probleme tona”.

Për këtë film është bërë gjithçka falë bashkëpunimit, nga sa mund të behej me një buxhet shumë të vogël. ”Qesharak”, e cilëson vetë regjisori.

Filmi është pothuajse komplet i financuar nga fondi i filmit të Maqedonisë dhe një pjesë nga Digjitalb.

Kastrati përveç skenarit dhe regjisë edhe ka luajtur” Shqiptarin” nga Kosova. Kjo, sipas tij, ka ndodhur nga pamundësia materiale. ”Vullnetarizmit i ka ardhur fundi. Sikur të kisha më shumë buxhet sigurisht do të merrja aktor ndoshta dhe regjisor tjetër. Ne gjithë kohën ankohemi për buxhet, thjesht kur do që të punosh, punon me aq sa ke”.

Ai deklaron të mos ketë punuar asnjëherë me buxhet të madh. Kur shkruan, gjithmonë, dhe kur do që të bëjë një film, e shkruan me atë se si do të realizohet me buxhet sa duhet, mirëpo në pamundësi mandej e redukton krijimin, duke ia përshtatur buxhetit që ka.

“Në tokën mes kufijve”, përveç Arben Kastratit luajnë dhe Adem Karaga, Muzbajdin Qamili, Vedat Haxhiislami, Besnik Krapi, Ernest Zymberi, Denalda Teli.

Aktualisht Kastrati është duke punuar në një tjetër projekt filmik dhe me një buxhet edhe më të vogël se “Në tokën mes kufijve”. Xhirimet kanë filluar me 15 mijë euro. ”A do ta kryej me ato para apo jo, është temë tjetër”, thotë ai.
Mjafton vullneti për të krijuar!

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›