E Shtunë, 31 Tetor 2026

Master per permiresimin e sherbimeve sociale ne sistemin e drejtesise

Universiteti i Tiranës dhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri prezantuan sot një program ndërdisiplinor studimesh të avancuara, i cili synon përmirësimin e standardeve të shërbimeve sociale në përgjithësi dhe, veçanërisht, të atyre të ofruara në sistemin e drejtësisë, ndërkohë që u nënshkrua edhe një memorandum mirëkuptimi, i cili do të formojë bazën dhe kornizën e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit mes Universitetit të Tiranës, Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.

Në ceremoninë e prezantimit folën Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Vollfarth, Ministri i Arsimit dhe Shkencës Myqerem Tafaj, Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi dhe rektori i Universitetit të Tiranës Dhori Kule. Të pranishëm në veprimtari ishin edhe pedagogë, zyrtarët të sistemit të drejtësisë dhe përfaqësues të trupit diplomatik.

“Programi Master "Administrimi i institucioneve sociale në sistemin e drejtësisë" i përgjigjet nevojës së institucioneve shqiptare për të arsimuar dhe trajnuar profesionistët e tashëm dhe të ardhshëm, si dhe vullnetarët, që punojnë me shkelësit e ligjit në sistemin e drejtësisë penale. Qëllimi i përgjithshëm është përmirësimi i sistemit penitenciar dhe të shërbimit të provës, në përputhje me angazhimet e OSBE-së dhe standardet evropiane”-theksoi Volfarth.

Ndërsa Minsitri i Drejtësisë Eduart Haimi në fjalën e tij tha se drejtësia ka nevojë për energji të reja, më të mira, për idetë e juve te rinjve, ka nevojë për besim, për njerëz të përkushtuar të cilët investojnë në dije, për njerëz që kualifikohen dhe ushtrojnë me pasion të plote profesionin e tyre.

“Ky program masteri është një investim i mire i cili me siguri do të sjellë ndikim përmirësues jo vetëm ne nivelin individual akademik te studentëve , të atyre qe do te zgjedhin ndjekjen e programeve te këtij cikli studimi, por mbi të gjitha pritet të gjenerojë kontribut të çmuar në të gjithë sistemin e drejtësisë. Thelbi i suksesit të çdo sipërmarrjeje e cilado natyre ajo qoftë janë burimet njerëzore ; dhe në këtë sipërmarrjen tone , nga më të rëndësishmet për të reformuar sistemin e drejtësisë e forcuar garantimin e te drejtave në vend kemi nevojë për njerëz që në përmbushje të detyrave të tyre funksionale do të mbështeten në parimet e ligjshmërisë, sigurisë dhe akteve njerëzore”-theksoi ministri i Drejtësisë

Programi është Masteri i parë ndërdisiplinor në Shqipëri dhe do të ofrohet nga Universiteti i Tiranës, duke nisur nga viti akademik 2012-2013.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›