E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masterat, Tafaj: “Kusht themelor, anglishte e certifikuar jashtë”



Jonida Tashi

Gjuha Angleze e certifikuar nga qendra të njohura ndërkombëtare do të jetë kushti themelor për të vijuar studimet master në universitetet publike të vendit.
Deklarata është bërë dje nga ministri i Arsimit Myqerem Tafaj, në konferencën e posaçme për shtyp që ai ka mbajtur për të shpjeguar ndryshimet e ligjit “Për arsimin e lartë”, që dy ditë më parë u miratuan edhe nga qeveria. Ndonëse kushti i Anglishtes nuk ishte përcaktuar si kriter pranimi në master, në projektligjin e ri “Për arsimin e lartë”, ai është vendosur nga vetë kreu i Arsimit. Vendimi i kreut të Arsimit, për të mbrojtur Anglishten në kurse private, që kryhen nga qendra të njohura ndërkombëtare edhe në vendin tonë, duke se do të jetë mjaft fitimprurës për këto të fundit, të cilat kanë pagesa relativisht të larta për t’u përballuar nga të gjitha kategoritë. Ndërkohë që edhe më e lartë bëhet kostoja e marrjes së dëshmisë së Anglishtes nga qendrat private, po të kemi parasysh se për të arritur deri te mbrojta e kësaj gjuhe duhet të kesh kryer disa kurse të njëpasnjëshme, me pagesa të veçanta. I vetmi rrezik, duket i pamenduar nga ministri i Arsimit, për këtë vendim, është fakti se ai mund t’i kthehet në bumerang, në rast se kuotat e përcaktuara për këto programe studimi do të mbeten të paplotësuara për shkak të kushtit të Anglishtes.
Vendimi
Duke filluar nga viti i ardhshëm akademik, për të vijuar studimet master në vendin tonë, pas përfundimit të universitetit, kusht do të jetë Gjuha angleze e certifikuar nga qendra të njohura ndërkombëtare si TOEFL. Dje, ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, shpjegoi ndryshimet që do të pësojë ligji “Për arsimin e lartë” në lidhje me studimet master. “Të gjithë studentët që do të vazhdojnë Masterin shkencor ose atë profesional, do të japin provimin e Gjuhës angleze përpara mbrojtjes së tezës ose provimit përfundimtar, me një test internacional. Pra, në ligjin ‘Për arsimin e lartë’ do të jetë e përcaktuar që zotërimi i Anglishtes në një nivel të certifikuar me testet ndërkombëtare është një parakusht. Zotërimi i gjuhës angleze është kusht edhe për programet afatgjata të specializimit”,- deklaroi Tafaj. Sipas tij, këto ndryshime synojnë të rrisin cilësinë e studentëve që do të ndjekin këtë cikël studimesh. “Në universitetet tona nuk do të ketë më master të nivelit të dytë, ndërkohë që cikli i dytë i studimeve do të ndahet në master me orientim profesional dhe në master shkencor”,- deklaroi Tafaj. Më tej kreu i Arsimit, është shprehur se në kuadër të këtyre ndryshimeve, cikli i parë i studimeve universitare do të mbajë termin ndërkombëtar “Bachelor”, ndryshe nga kërkesa e kryeministrit Berisha, për t’i gjetur këtij termi një emërtim ekuivalent në shqip. Sipas ministrit Tafaj, më tej edhe ky cikël do të ndahet në dy pjesë, Bachelor me orientim profesional dhe Bachelor shkencor.
Ndryshimet
Ndryshimi i skemës së studimeve pasuniversitare zë fill që nga studimet e ciklit të dytë, ku përfshihen Master i Nivelit të Parë (MND) dhe Diploma e Nivelit të Dytë (DND), që bazuar në ligjin e ri nuk do të kenë më këto emërtime, por do të shndërrohen në një program të përafërt studimi. Më konkretisht, duke filluar që nga viti akademik 2010-2011, Masteri i Nivelit të Parë (MND) do të shndërrohet në emërtimin thjesht Master, kurse Diploma e Nivelit të Dytë do të quhet diplomë universitare “Master i shkencave” në fushën e arsimit të kryer. Po ashtu, edhe Diploma e Integruar e Nivelit të Dytë (DIND) do të shndërrohet në diplomë “Master i shkencave”. Më tej, në projektligjin e MASH-it, kalohet në transformimin e Masterit të Nivelit të Parë në emërtimin thjesht Master. Lidhur me riorganizimin e këtyre studimeve në ligjin e ri thuhet se programet e studimeve “Master” u ofrojnë të diplomuarve, me një diplomë universitare së paku “Bachelor”, arsimim dhe trajnim të mirëfilltë profesional. Por, nëse programet e ciklit të dytë do të riorganizohen sipas mënyrës së mësipërme, për studimet e ciklit të tretë, ku përveç Doktoraturës përfshihet edhe Masteri i Nivelit të Dytë, një program studimi jo pak i preferuar nga kandidatët që i kanë përfunduar studimet e larta me sistemin 4-vjeçar, nuk do të jetë kështu. Sipas projektligjit të ri të MASH-it, nuk do të ketë më mastera të nivelit të dytë dhe e vetmja mundësi për studentët e sistemit të vjetër që duan të vazhdojnë studimet pasuniversitare është që t’i futen rrugës së Bolonjës, pavarësisht se e kanë mbaruar fakultetin me sistemin tradicional të arsimit të lartë që ka qenë më së shumti 4-vjeçar. Kështu, në studimet e ciklit të tretë, Ministria e Arsimit ka përfshirë vetëm ato të Doktoraturës, të cilat, sipas ligjit të ri, janë programe të studimeve të ciklit të tretë, me karakter plotësisht akademik, që kanë në bazë kërkim shkencor dhe veprimtari krijuese.

Raporti
Komisari i Këshillit të Europës kritikon politikën e BE-së ndaj refugjatëve

Komisari i Këshillit të Europës për të drejtat e njeriut, Thomas Hammarberg, kritikon politikën e ndjekur nga Bashkimi Europian ndaj refugjatëve. Respektimi i të drejtave të njeriut në Europë është tradicionalisht temë e rëndësishme e Këshillit të Europës në Strasburg. Komisari europian për të drejtat e njeriut flet për bilancin e zymtë të raportit të këtij viti. Thomas Hammarberg, nga Strasburgu ka arritur të vërejë gjatë muajve të kaluar një lidhje të ngushtë mes të drejtave të njeriut dhe rrënimit kërcënues të bankave dhe shteteve. “Shtetet europiane nuk kanë më aq shumë para në dispozicion, për shkak se qeveritë u desh të mbështesin bankat, që ndodheshin në kolaps. Këto para tani mungojnë në buxhetin shoqëror dhe kjo ndikon po ashtu në politikën e refugjatëve dhe në trajtimin e pakicës rome”,- ka deklaruar Hammarberg. Sipas tij, Bashkimi Europian ka ashpërsuar politikën e migracionit që prej krizës financiare. Në përgjithësi, komisari për të drejtat e njeriut kritikon Bashkimin Europian për politikën e tij të migracionit dhe refugjatëve. Sipas tij, që prej fillimit të krizës financiare ajo në sytë e tij po bëhet gjithnjë e më e pamëshirshme dhe e ashpër. “Gjithnjë e më shumë njerëz mbyllen në burgjet për dëbim. Numri i tyre sa vjen e rritet. Ne i burgosim njerëzit, vetëm pse ata vijnë këtu që të jetojnë dhe të punojnë. Kjo është jonjerëzore, kjo nuk është politikë e mirë”,- pohoi komisari i të drejtave të njeriut. Ndërkaq, sipas të dhënave të Entit Europian të Statistikave, gjatë vitit të kaluar 280 mijë refugjatë kanë kërkuar azil në Europë. Çdo i katërti prej tyre është njohur të paktën si refugjat, por vetëm një pjesë e vogël e tyre ka arritur të fitojë edhe statusin e vërtetë të azilit.

30 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›