Rrugorët, aksion kundër motorëve pa dokumente, bllokohen 40 të tillë
DURRËS - Aksion ndaj motorëve që lëvizin pa targa apo pa dokumente. Policia e Durrësit prej disa ditësh ka ndërmarrë aksionin në drejtim të kontrollit të dokumentacionit të drejtuesve të motorëve. Punonjës të kësaj strukture janë vendosur në pika apo segmente të ndryshme rrugore me qëllim verifikimin e dokumentacionit përkatës. Në kuadër të zbatimit të këtij plani masash, vetëm gjatë ditës së djeshme është bërë i mundur bllokimi administrativ i 40 motorëve, drejtuesit e të cilëve kishin mangësi në dokumentacion të tilla si leje drejtimi, targim etj. Në vijim të këtij aksioni, gjatë paradites së djeshme janë bllokuar 20 motorë. Ky plan masash do të vazhdojë të zbatohet edhe në ditët në vijim. Vihet re se me përmirësimin e motit, mjete të tilla, duke u konsideruar si mjaft praktike, janë shtuar së tepërmi në qarkullim dhe drejtuesit e tyre neglizhojnë apo keqinformohen nga blerësit e tyre lidhur me detyrimet për dokumentacionin e nevojshëm, apo nuk kanë informacion lidhur me normat e qarkullimit të këtyre mjeteve në rrugë, duke u bërë kështu në jo pak raste burim aksidentesh rrugore. Disiplinimi i këtyre mjeteve në trafik konsiderohet edhe si një masë parandaluese në drejtim të aksidenteve rrugore, veçanërisht në prag të sezonit veror i cili sjell një ngarkesë relativisht të madhe në trafikun rrugor të qytetit të Durrësit. Ndërhyrje të tilla të bëra edhe në vitet paraardhëse në drejtim të disiplinimit të motorëve, çiklomotorëve apo mjeteve të tjera të motorizuara me dy rrota, kanë bërë të mundur që drejtuesit e tyre të marrin masa në drejtim të pajisjes me kaska mbrojtëse (të cilat konstatohet se shpesh mbahen në motor por nuk vendosen prej drejtuesve gjatë qarkullimit) si dhe targimit të këtyre mjeteve. Kujtojmë edhe njëherë përdoruesit e kësaj kategorie mjetesh të informohen lidhur me dokumentacionin e nevojshëm në vartësi të mjeteve që ata përdorin, respektimin e moshës minimale e maksimale për përdorim të tyre si dhe zbatimin e normave të parashikuara në Kodin Rrugor për drejtimin e tyre.
Greqi
Shqiptari i përçudnuar, në gjendje kome
KRETË - Emigranti shqiptar Pajtim Mandri, që u dhunua barbarisht disa ditë më parë, ndodhet në gjendje kome në spitalin e qytetit të Haniasë, në Kretë. Mjekët kanë bërë të ditur se ai ka dëmtime të mëdha në organet e brendshme dhe se po bëhet gjithçka për ta shëruar. Ata thonë se pacienti kishte një plagë hyrëse në pjesën e prapme të trupit, ndërsa është dëmtuar një pjesë e mëlçisë, membrana e mushkërisë dhe zorra e trashë. Madje ata kanë gjetur edhe një copëz plastike brenda zorrës. Detajet pritet të jepen nga pacienti pasi të dalë nga koma, ndërkohë që dëmi në trup është shumë i madh. Ndërsa vëllai i Pajtimit, Bilbil Mandri, thotë se bëhet fjalë për një aksident. Ai falënderon Ambasadën Shqiptare dhe kontributin e dhënë nga ekspertët tanë atje. Policia e Haniasë do të japë një deklaratë në ditët në vijim kur pacienti të dalë nga gjendja e komas.
Hakmarrja
Arrestohet pas 13 vitesh i kërkuari për vrasje
DIBËR - Arrestohet pas 13 vitesh në Dibër autori i vrasjes në bashkëpunim i Shaqir Klosit dhe plagosjes së vëllait të tij, Kujtim Klosi. Policia e Dibrës, në bashkëpunim me Komisariatin e rrethit Mat, kanë organizuar operacionin e koduar “Mali i Dejës” ku është bërë i mundur arrestimi i 56-vjeçarit Mexhit Murrani, i cili ishte shpallur në kërkim nga blutë e Dibrës. Mexhit Murrani rezulton të jetë autori vrasjes së ndodhur në tetor të vitit 1997 dhe tentativës për vrasje në të njëjtën kohë. Sipas Drejtorisë së Policisë së Dibrës ngjarja është zbardhur pas 13 vjetësh dhe zanafillën e ka te një tjetër vrasje e vitit 1988. I biri i viktimës kishte vrarë 22 vjet më parë një shtetase, e cila është edhe motra e të arrestuarit të sotëm nga policia. Gjakmarrja mes dy familjeve është motiv i vrasjeve të ndodhura në zinxhir.
30 Prill 2010