Tre të arrestuar, kapen 20 kg drogë me destinacion Greqinë
GJIROKASTËR - Sekuestrohen 20 kilogramë Cannabis sativa, që kishin destinacion Greqinë. Gjatë këtij operacioni janë vënë në pranga dhe tre persona që shoqëronin lëndën narkotike. Burime zyrtare nga Policia e Gjirokastrës thanë gjatë ditës së djeshme se lënda narkotike është kapur në një kamion që po kalonte për në shtetin helen. Aksioni është zhvilluar rreth orës 20:00 të dy ditëve më parë, në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavijë. Policia kishte marrë informacione në rrugë operative se në një kamion po transportohej lëndë narkotike në drejtim të shtetit grek. Menjëherë policia ka ushtruar një kontroll të imtësishëm në kamionin tip “Skania” me targë GJ 1327 B koka e kamionit dhe GJ 1328 B trajleri. Automjeti drejtohej nga Pellat Dervishi, 54 vjeç, nga Gjirokastra. Gjatë kontrollit në pjesën e fundit të trajlerit janë gjetur disa pako të mbështjella me letër natriban ku brenda tyre kishte lëndë të dyshuar si Cannabis. Në vendin e ngjarjes kanë ardhur specialistët e Antidrogës, të cilët kanë thënë se në kamion, në fund të trajlerit (karrocerisë), poshtë dyshemesë ishin 18 pako në formë cilindrike, të mbështjella me letër natriban, me peshë që varionte nga 1 kilogram e 100 gramë deri në 1 kilogram 150 gramë secila pako, ku brenda tyre kishte lëndë narkotike të dyshuar si Cannabis dhe pesha e përgjithshme rezultoi të ishte 20 kilogramë. Pas hetimeve dhe veprimeve të bëra, ditën e djeshme, rreth orës 03:00, tre prej 6 të shoqëruarve janë lënë të lirë, ndërsa 3 personat e tjerë janë arrestuar për veprën penale të “trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike”. Në pranga kanë rënë: Pellat Dervishi, 54 vjeç, Artur Musta, 40 vjeç dhe Endri Çani, 23 vjeç. Në momentin që Policia Kufitare ka konstatuar lëndën narkotike, kamionin e drejtonte Dervishi, ndërsa Artur Osmani që punonte si shofer me këtë automjet, kishte kaluar në tokën greke dhe po e priste atje kamionin për ta çuar në Athinë. Çani është djali i pronarit të kamionit që menaxhonte dhe makinën, pasi babai i tij, pronari i vërtetë, ndodhet në spital.
30 Prill 2010