E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sillet me pranga nga Italia Martin Begaj, hasmi i Lul Cakës



Artan CENA
TIRANË - Ekstradohet nga Italia Martin Begaj, anëtar i bandës së Karbunarës, rival i të njohurit Lulzim Caka. Begaj, i njohur ndryshe edhe me emrin Manol, është sjellë pasditen e djeshme nga Italia pasi u arrestua në shtetin fqinj në muajin nëntor. Ishin burimet zyrtare që bënë të ditur se në orën 17:30, në Rinas është sjellë i dënuari me 20 vite burg për vrasje. Sjellja e tij në Shqipëri është bërë nga agjentët e nga Zyrës Qendrore Kombëtare të Interpol Tiranës. Martin (Manol) Begaj, 31 vjeç, ka lindur në Samaticë, Berat, i njëjti vend ku ka lindur dhe Caka. Ky person ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat, me Vendimin Nr. 24, në datën 15 mars 2001, e ka dënuar atë me 20 vjet burg për kryerjen e veprës penale të “vrasjes me paramendim“ dhe “armëmbajtjes pa leje”.
Vrasja
Sipas policisë, Martin (Manol) Begaj akuzohet.......... ka ndodhur më 29 nëntor 1999, kur qëlloi me armë zjarri Bardhosh Cakën, duke e lënë të vdekur, si dhe një kushëririn e tij, i cili u plagos. Veprimi i Begajt erdhi në shenjë hakmarrjeje pasi vëllai i tjetër i Lul Cakës, Juliani, kishte vrarë vëllanë e tij, 22-vjeçarin Kastriot Begaj. Vrasja e vëllait të të ekstraduarit të djeshëm kishte ndodhur pas një sherri në bilardo. Kastriot Begaj ishte zënë me vëllanë e Lul Cakës, Bardhosh Cakën. Pas kësaj ngjarjeje kishte filluar dhe hakmarrja mes dy të fortëve të Samaticës, që ishin dhe anëtarë të bandës së Karbunarës në Lushnjë. Arrestimi i Lul Cakës u duk se do të sillte frenimin e vrasjeve mes dy fiseve, por arratisja e tij nga Komisariati i Lushnjës më 7 janar 2001 do të sillte vrasjen e tre pjesëtarëve të tjerë të familjes Begaj. Më 22 mars të atij viti, në qendër të fshatit të tyre Stamaticë, në Berat, Lul Caka me vëllanë e vogël, Gjeloshin dhe kunatin Shkëlqim Caka hapin zjarr me automatik ndaj Maringlen Camit dhe Valter Begajt, 24 dhe 23 vjeç. Dy viktimat ktheheshin nga puna me zetor. Begaj mësohet se ka rezistuar fillimisht duke u mbrojtur pas sediljes së shoferit dhe ka hapur zjarr me pistoletë, por edhe ai përfundoi i vrarë. Martin Begaj ishte shpallur nga Drejtësia shqiptare në kërkim ndërkombëtar që prej vitit 2001.
Arrestimi
Policia italiane ka prangosur Martin Begajn, i njohur si një nga armiqtë e Lulzim Cakës në tetor të vitit të kaluar. I riu beratas ka rënë në prangat e policisë italiane duke shpërndarë lëndë narkotike. Begaj qëndronte në Itali me emrin e rremë "Manol" deri në vitin 2004. Shumë shpejt ai kishte tërhequr vëmendjen e agjentëve të Policisë italiane, të cilët zbuluan se pas pseudonimit të rremë fshihej personi i kërkuar nga Shqipëria për një vrasjeje të ndodhur në vitin 1999 në Berat ndaj vëllait të Lulzim Cakës. Martin Begaj ishte i njohur në botën e krimit në Berat pas vitit 1997 dhe ishte një nga kundërshtarët e Lulzim Cakës. Shqiptari 30-vjeçar, ndaj të cilit ekzistonte një urdhër arresti ndërkombëtar, është vënë në pranga nga karabinierët e Breshias. Pak kohë pas mbërritjes në Itali, Begaj kishte hyrë në një xhiro të shpërndarjes së kokainës. Lëvizjet e tij u pikasën shpejt nga karabinierët dhe pas një sërë hetimesh u bë i mundur arrestimi i tij.

30 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›