Forumi “Tirana”, protestë para bashkisë për sheshin
Dhjetëra të rinj kryeqytetas kanë protestuar dje para Bashkisë, duke kërkuar përfshirje në vendimmarrje dhe transparencë rreth projektit të rehabilitimit, që po zbatohet për Sheshin "Skënderbej". Objekti i protestës së tyre ka qenë edhe mbrojtja e vlerave të trashëgimisë kulturore që përfaqëson sheshi në vetvete. Për rreth një orë, të rinjtë kanë qëndruar para Bashkisë duke parashtruar mes të tjerash edhe çështjen e shpronësimeve që bëhen në interes të ndërtimit të Unazës dhe mbrojtjen e interesave të familjeve që preken nga ky projekt. Saimir Minxalli, kryetar i këtij forumi, u shpreh se kjo protestë vjen pas protestave të nisura nga Shoqata Tirana. Kjo e fundit, në datë 13 prill organizoi një tryezë me temën "çdo të bëhet me Tiranën", ku u kërkua me ngulm një plan i ri urbanistik për kryeqytetin. Ndërkohë që në datë 15 prill, e njëjta shoqatë organizoi një protestë ku bënte thirrje për përfshirje të opinionit të qytetarëve në proceset vendim-marrëse për zhvillimin e qytetit. Nga ana e forumit, por edhe Shoqatës, janë paralajmëruar të tjera protesta nëse zëri i tyre do të bjerë në vesh të shurdhër.